Kavajë- Dy persona janë arrestuar orët e fundit nga Policia e Kavajës, pas hetimeve të kryera për disa vjedhje të kryera në zonë.
Operacioni është koduar ‘Precedenti’, teksa një prej të arrestuarve, i skeduar për shumë vjedhje, ishte larguar nga Komisariati i Elbasanit në vitin 2024 dhe ishte në kërkim.
Të arrestuarit janë Nazim Liçi, 29 vjeç, banues në Elbasan dhe Gentian Gjyzeli, 46 vjeç, banues në Durrës.
Për të ndaluarin Liçi, policia tha se ishte në kërkim, pasi është arratisur nga Komisariati i Policisë së Elbasanit, me masë sigurie 'arrest me burg' në mungesë për grabitje.
“Shtetasi N. L. ishte shpallur në kërkim nga DVP Elbasan, pasi Gjykata e Elbasanit i ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”, kryer në bashkëpunim. Ky shtetas, në muajin dhjetor 2024, është larguar nga ambientet e DVP Elbasan. Javën e fundit ai dyshohet se është strehuar në banesën e shtetasit G. Gj.”, tha policia vendore.
Ata akuzohen për vjedhjen e një shumë parash në një banesë dhe të një makine, në fshatin Qerret të Kavajës.
Policia bëri me dije se ka siguruar edhe pamje filmike nga vjedhjet që kryenin dy të dyshuarit, që do përdoren edhe si prova materiale dhe nëpërmjet të cilave u bë identifikimi i tyre.
Njoftimii Policisë së Durrësit:
"Finalizohet operacioni policor i koduar “Precedenti”. Zbardhen vjedhje të kryera nga 2 shtetas.
Vodhën shuma parash në një banesë dhe në një automjet në një fshat të Kavajës, në pranga 2 autorët e dyshuar.
Njëri prej të arrestuarve, me precedent të theksuar kriminal në fushën e vjedhjeve, ishte shpallur në kërkim, pasi në vitin 2024 është larguar nga Komisariati i Policisë Elbasan, ku ishte shoqëruar për një vjedhje.
Sekuestrohen një shumë parash, një automjet, tre celularë dhe veshje të përdorura nga autorët, gjatë kryerjes së vjedhjeve.
Si rezultat i hetimeve të kryera me objektiv zbardhjen e vjedhjeve dhe nxjerrjen e autorëve të tyre përpara përgjegjësisë penale, Komisariati i Policisë Kavajë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Durrës, finalizuan operacionin policor të koduar “Precedenti”, në kuadër të të cilit u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit:
N. L., 29 vjeç, banues në Elbasan dhe G. Gj., 46 vjeç, banues në Durrës.
Nga hetimet dhe provat e siguruara (përfshirë pamjet filmike), ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vjedhur shuma parash në një banesë dhe në një automjet, në fshatin Qerret, Kavajë.
Shtetasi N. L. ishte shpallur në kërkim nga DVP Elbasan, pasi Gjykata e Elbasanit i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”, kryer në bashkëpunim. Ky shtetas, në muajin dhjetor 2024, është larguar nga ambientet e DVP Elbasan. Javën e fundit ai dyshohet se është strehuar në banesën e shtetasit G. Gj.
Vijojnë hetimet për të dokumentuar vjedhje të tjera që mund të jenë kryer nga këta shtetas.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme".
Komente
