Deri në 1 miliardë euro, mund të përfitojë Shqipëria, fonde nga BE, në rrugën e saj drejt integrimit.
“Shqipëria ka përfituar tashmë nga paradhënia një pagesë e parë prej 64.5 milionë euro dhe do të ketë më shumë për të ardhur, nëse plotësohen të gjitha hapat që priten deri në vitin 2027, deri në një total afër 1 miliard euro', tha Sigrid Brettel, përfaquese e KE.
Komisioni Evropian mbërriti në Tiranë, për të para nga afër se si po menaxhohen fondet që vendi ynë ka marrë deri më tani nga ‘Plani i Rritjes’ për realizimin e reformave
“Kjo është një mbështetje për këto reforma ambicioze. Duke treguar aftësinë tuaj tani për të planifikuar, zbatuar, monitoruar dhe dhënë rezultate, po tregoni gjithashtu se jeni të aftë që në të ardhmen, si shtete anëtare të BE-së, të menaxhoni edhe instrumente financiare edhe më të ndërlikuara”, tha Brettel.
Komiteti i Monitorimit të Planit të Rritjes u mblodh në kryeqytet nga SASPAC, institucioni që shpërndan fondet e BE.
“Mekanizmi (Plani i Rritjes) duhet të përshpejtojë reformat dhe të forcojë ekonominë tonë, të fuqizojë qytetarët, të dixhitalizojë shoqërinë, të bëjë më të gjelbër sistemin tonë energjetik – që është mjaft sfidues – dhe të konsolidojë shtetin e së drejtës. Nuk është projektuar vetëm për të financuar reformat, por për të garantuar që çdo euro lidhet me rezultate të verifikuara”, tha Eidana Çano, drejtuese e SASPAC.
Gjatë diskutimeve përfaqësuesit e ministrive u përqendruan mbi ecurinë e reformave të zbatuara në fusha të caktuara. Ndërkohë së shpejti Komisioni Evropian do të publikojë raportin e vlerësimit për ‘detyrat’ e realizuara deri më tani nga Shqipëria, dhe sugjerimet që do të ketë për reformat e mëtejshme.
Komente
