A vuani nga thonj të verdhë, të trashë ose që thyhen lehtë? Mund të jetë myk i thonjve, një infeksion i zakonshëm, por shpesh i nënvlerësuar. Në emisionin “Rreze Dielli” në Report Tv me specialistin e bimëve mjekësore Ylli Merja tregojmë pse shfaqet myku i thonjve, cilët janë faktorët që e shkaktojnë këtë problematikë, e cila nëse nuk parandalohet në kohë mund të sjellë shumë shqetësime të metejshme.
“Dy janë shkaktarët e infeksioneve të thonjve: kërpudhat e mykut të këmbëve (onikomikoza) dhe kërpudhat e mykut të bardhë (candida albicans)”, thekson Merja në fillim të bisedës, duke treguar dhe disa nga simptomat kryesore:
- Zverdhja e thoit deri në nxirje
- Trashje, deformim, fillim i plasaritjeve
- Ndarje e thoit nga gishti dhe plasaritje e thërrmimit të thoit
- Erë e rëndë e këmbëve
- Kruarje midis gishtave dhe në shputën e këmbës
- Çarje e lëkurës midis gishtave ose në zonën midis shputës së këmbës dhe gishtave të këmbës
Infeksionet mykotike prekin më zakonisht pjesën e majës së këmbëve dhe thonjve, pasi është një pjesë që zakonisht qëndron e mbyllur në këpucë, në një ambient të ngrohtë dhe me lagështi. Sipas specialistit Merja, myku është normalisht prezent brenda dhe jashtë trupit dhe kur një sëmundje kërpudhore fillon të rritet së tepërmi atëherë mund të merrni infeksion dhe mund të krijohen problematika të tjera.
Eshtë shumë e rëndësishme të kemi higjienë të mirë për të patur këmbë të pastra dhe thonj të shëndetshëm, këshillon Merja, duke rekomanduar dhe trajtimin alternativ, i cili është shumë i suksesshëm dhe nëse ndiqet hap pas hapi, myku do të largohet brenda 2 ose 3 javëve.
“Fillimisht shpëlajmë këmbët me ujë mirë. Më pas marrim 1 gotë ujë hedhim 1 lugë gjelle uthull molle dhe bëjmë një shpëlarje tjetër. Përgatisim 1 litër çaj me rigon, trumëz, sherebel, livando. Po mund të shtojmë dhe lëkura limoni ose lëkura ftoi. Ose në 1 litër ujë ziejmë 4-5 minuta 4 lugë gjelle çaj Kandimer, i cili i ka në brendësi këta përbërës. Me çajin e përgatitur ku shtojmë dhe pak sodë buke shpëlajmë këmbët dhe i thajmë mirë. Pasi janë tharë vendosim midis gishtave dhe thonjve propolis me rigon. Pasi thahet poropolisi vendosim kremin e mykut. Këtë veprim e bëjmë 2 herë në ditë.”
Në rastet kur thonjtë janë shumë të trashë, i lyejmë me 1-2 pika vaj rigoni 1 herë në ditë, ndërsa nëse lëkura është plasaritur e lyejmë me xhel aloe vera, rekomandon Merja në fund të bisedës duke apeluar dhe një herë për një kujdes dhe rutinë të mirë të higjienës.
Komente
