Komisioni Evropian ka propozuar një sërë masash të reja për të luftuar korrupsionin në vendet e BE, por edhe më gjerë. Paketa me sanksione do t’i mundësonte BE-së të ndalojë hyrjen dhe ngrirjen e aseteve për individët dhe subjektet nga vendet e treta nëse ata kanë kryer vepra të rënda korrupsioni.
Përmes këtyre propozimeve BE-ja synon të harmonizojë përkufizimin e veprave penale të tilla siç është shpërdorimi i ndikimit dhe shpërdorimi i detyrës në 27 shtetet anëtare dhe të ketë sanksione penale për rastet e korrupsionit.
“Paketa do të rrisë standardin për sa i përket përkufizimeve dhe dënimeve në mbarë BE-në për veprat penale të korrupsionit dhe do të ndihmojë autoritetet të kapin dhe ndëshkojnë kriminelët, qofshin ata nga sektori publik apo privat, kudo që ndodhin”, tha zëvendëspresidentja e KE për Vlerat dhe Transparencën Věra Jourová.
Që nga dhjetori, BE është tronditur nga skandali i saj më i madh korruptiv deri më tani, ku pesë persona, përfshirë eurodeputetë në detyrë dhe ish-asistentë akuzohen për pjesëmarrje në një organizatë kriminale, korrupsion dhe pastrim parash.
Një zyrtar i Transparency International, tha se BE ka probleme serioze me korrupsionin, dhe kjo u duk më së shumti në rastin e Katargate. Por sipas tij edhe shumë shtete të BE përballen me këtë problematikë, dhe duke intensifikuar puna për të ndëshkuar këto raste.
Për të trajtuar problemin, Grupi i të Gjelbërve në Parlamentin Evropian ka bërë thirrje për një kuadër ligjor të forcuar dhe mjete hetimore, bashkëpunim më të madh midis autoriteteve kompetente dhe një rol më të madh të Zyrës së Prokurorit
“Nëse Komisioni është serioz në lidhje me luftën kundër korrupsionit, ata gjithashtu duhet të përdorin shumë më tepër mekanizmin e sundimit të ligjit dhe të pajisin më mirë Prokurorinë Publike Evropiane. Komisioni duhet të ndalojë zvarritjet dhe të krijojë një organ të pavarur të etikës së BE-së për të siguruar institucionet e BE-së”, tha në një deklaratë eurodeputeti gjerman Daniel Freund.