Ekonomia e Shqipërisë do të rritet më pak se vitin e kaluar. Komisioni Evropian vlerëson në ngadalësim ekonominë nga 4% vjet, në 3.6% këtë vit dhe në 3.5% vitin 2026.
Në raportin e fundit të publikuar thuhet se shkak për këtë ulje në parashikim është mbarimi i efekteve të reformës së pagave në shtet, rënia e vrullit turistik si dhe problemet demografike të shoqëruara me emigrim.
“Eksportet e shërbimeve pritet të vazhdojnë të zgjerohen, por rritja e ardhjeve të turistëve pritet të zbutet nga ritmet dyshifrore të vërejtura në vitet e mëparshme. Kjo perspektivë është subjekt i rreziqeve të lidhura me ndryshimet në kursin e këmbimit, normat e interesit dhe mungesa në rritje e fuqisë punëtore të kualifikuar, e rënduar nga emigracioni”, thuhet në raport.
Por përtej këtyre faktorëve të brendshëm, Komisioni Evropian vlerëson se Shqipëria është e ekspozuar edhe nga goditjeve të jashtme, që vijnë si rezultat i tarifave doganore që SHBA po aplikon ndaj Evropës.
"Si një ekonomi e vogël e hapur, Shqipëria është e ekspozuar ndaj rreziqeve të jashtme që lidhen me ndikimin ekonomik të tarifave në pjesën kryesore të partnerëve tregtarë në BE, si Italia. Për më tepër, pasiguria globale dhe rreziqet gjeopolitike mund të ndikojnë në hyrjet e Investimeve të huaja direkte”, thuhet në raport.
Në të njëjtën linjë me pritshmëritë e Bankës së Shqipërisë edhe KE vlerëson se inflacioni do të kthehet në objektivin prej 3% gjatë vitit të ardhshëm dhe jo këtë vit.
Në raport thuhet gjithashtu se përtej sfidave, të ardhurat do të rriten të mbështetura edhe në zbatimin e strategjisë afatmesme të të ardhurave për vitin 2025- 2026 që fokusohet në mirëadministrim tatimor e doganor si dhe në luftën ndaj informalitetit. Po ashtu do të vijojë rënia e borxhit publik ndaj PBB-së, nga afro 54% vjet në 53% në fund të 2026-ës.
Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë
Komente
