Arta Vorpsi, Gent Ibrahimi dhe Arta Marku

KED vlerëson 3 kandidaturat për vakancën në Gjykatën Kushtetuese, ja si renditen 3 emrat që i dërgohen presidentit

28 Tetor 2022, 18:13| Përditesimi: 28 Tetor 2022, 19:32

  • Share

TIRANË- Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka përzgjedhur tre kandidaturat për vakancën në Gjykatën Kushtetuese. Sipas KED-së Gent Ibrahimi është renditur i pari për anëtar të Kushtetueses me 88.37 pikë. Arta Vorpsi është përzgjedhur e dyta nga KED për anëtare e Kushtetueses me 88.22 pikë, ndërsa Arta Marku përzgjidhet e treta nga KED për anëtare e Kushtetueses me 82.66 pikë. Do të jetë presidenti i Republikës që do të thotë fjalën e fundit për të caktuar emrin fitues të anëtarit të 9-të të Gjykatës Kushtetuese.

‘Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED), në vijim të procedurave të vlerësimit të kandidatëve të lejuar për kandidim, të cilët kanë kandiduar për vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese, në zbatim të dispozitave ligjore, pas shqyrtimit të gjithanshëm të dokumentacionit të paraqitur nga vetë kandidatët dhe atij të siguruar nga vetë Këshilli, pas komunikimit me institucionet e tjera lidhur me të dhënat e nevojshme për vlerësimin e kandidaturës, bën publike rezultatin e pikëzimit për secilin kandidat si më poshtë:

Gent Ibrahimi 88.38 Pikë

Arta Vorpsi 88.22 Pikë

Arta Marku 82.66 Pikë

Në zbatim të nenit 239 të ligjit nr. 115/2016 dhe Vendimit nr. 5 datë 02.04.2019 “ Për kriteret dhe procedurën e vlerësimit, pikëzimit dhe renditjes së kandidatëve për pozicionet vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë”, tashmë KED do të miratojë listën përfundimtare dhe Raportin e arsyetuar për procedurën e verifikimit, të vlerësimit dhe pikëzimit të secilit kandidat dhe të renditjes së tyre, për secilin vend vakant në Gjykatën Kushtetuese

Pas shqyrtimit dhe miratimit të këtyre akteve nga mbledhja e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, organit të emërtesës, Presidentit të Republikës, do ti dërgohet lista përfundimtare e renditjes së kandidatëve dhe raportet e arsyetuar të Këshillit, ku përmbahet analiza tërësore lidhur me plotësimin e kushteve ligjore dhe vlerësimin e kritereve ligjore për secilin kandidat, si edhe për procedurën e ndjekur për vlerësimin dhe renditjen e tyre.’- njofton KED.

Pas mungesave të krijuara nga procesi i vettingut, Gjykata Kushtetuese e nisi punën në dhjetor 2020, pasi u plotësua kuorumi me 7 anëtarë. Aktualisht, me shtimin e zotit Toska në radhët e saj, ajo ka në përbërje 8 anëtarë. Gjykata e Lartë propozon dhe ka te drejte emërimi për 3 anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, nga 9 që ka gjithsej ajo. 3 përzgjidhen nga presidenti dhe 3 të tjerët nga Parlamenti.

Lista e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese

1. Dr. Vitore Tusha, Kryetare

2. Marsida Xhaferllari, anëtare

3. Dr. Fiona Papajorgji, anëtare

4. Dr. Elsa Toska, anëtare

5. Altin Binaj, anëtar

6. Sonila Bejtja, anëtare

7. Dr. Sandër Beci, anëtar

8. Ilir Toska, anëtar

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?