Kryeministri britanik, Keir Starmer do të njoftojë sot njohjen e shtetit palestinez nga Mbretëria e Bashkuar. Lidershipi britanik njoftoi në Korrik se do të ndryshonte qëndrimin e saj nëse Izraeli nuk përmbushte disa kushte, duke përfshirë arritjen e një armëpushimi në Gaza, që do të çonte në krijimin e një shteti palestinez.
Lëvizja e kryeministrit britanik solli kritika të ashpra nga qeveria izraelite, familjet e pengjeve të mbajtura në Gaza dhe disa konservatorë. Udhëheqja izraelite e ka përjashtuar mundësinë e një shteti palestinez që nga fillimi i luftës pas sulmit të Hamasit në Izraelin jugor më 7 tetor 2023, në të cilin u vranë 1,200 persona dhe 251 u morën peng.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se njohja e një shteti palestinez "shpërblen terrorin". Përpjekjet për të siguruar një armëpushim në Gaza, e lëre më një zgjidhje afatgjatë për konfliktin Izrael-Palestinë, kanë dështuar. Organizatat raportojnë se situata në terren në Gaza është përkeqësuar ndjeshëm gjatë javëve të fundit.
Operacioni i fundit tokësor i Izraelit në qytetin e Gazës, i përshkruar nga OKB si katastrofik, ka detyruar qindra mijëra njerëz të largohen.
Kjo është ofensiva e fundit izraelite në luftën gati dyvjeçare, e cila ka parë pjesën më të madhe të popullsisë së territorit palestinez të zhvendoset, infrastrukturën e saj të shkatërruar dhe të paktën 65,208 njerëz të vrarë, sipas shifrave të ministrisë së shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi.
Më herët këtë javë, një komision hetimor i Kombeve të Bashkuara deklaroi se Izraeli kishte kryer gjenocid kundër palestinezëve në Gaza, të cilin Izraeli e denoncoi si "të shtrembëruar dhe të rremë".
Komente
