KE-ja skanon ekonominë shqiptare: Plani ambicioz për të ardhurat nuk u realizua

29 Janar 2020, 20:50| Përditesimi: 29 Janar 2020, 21:00

  • Share

Komisioni Evropian në raportin e publikuar për tremujorin e 4-t të vitit të kaluar, për vendet kandidate për në Bashkimin Evropian, thekson se indikatori i ndjesisë ekonomike  në Shqipëri ra përgjatë tremujorit të 4-t të vitit 2019, për të parën herë që prej vitit 2016. Sipas raportit, ndikim negativ në përkeqësimin e këtij treguesi ka pasur industria si dhe rënia e performancës së shërbimeve pothuajse përgjatë gjithë vitit.  Ndërkohë Komisioni Evropian vlerëson pozitivisht efektin që ka dhënë konsumi privat në zgjerimin e ecurisë ekonomike, si dhe përmirësimi i eksporteve kryesisht nga ndërmarrjet prodhuese.

Analiza e kryer vlerëson si të parealizuar planin buxhetor për vitin 2019, duke theksuar se të ardhurat totale janë rritur me 3.2% për periudhën janar-nëntor krahasuar me 2018-ën, por nuk u realizua  në masën 3.3% krahasuar me shifrat e planifikuara. Plani i të ardhurave është konsideruar ambicioz dhe, si shpenzimet kapitale, ashtu edhe të ardhurat në total vështirë se janë realizuar dhe në dhjetor të vitit të kaluar. Ndërsa konfirmohet se mosrealizimi më i madh është i të ardhurave vërehet tek TVSH-ja, që është taksa kryesore.

Teksa vlerësohet ulja e papunësisë në 11.8% në tremujorin e tretë, krahasuar me 12.7% të tremujorit të njëjtë të vitit 2018, përsëri është ngritur shqetësimi i hendekut në paga. Komisioni vlerëson se paga mesatare në vend është 423 euro bruto në muaj, ndërkohë që paga minimale është sa gjysma e saj. Sektori agro-bujqësor është më i prekuri nga ky hendek. Në raport thuhet se ndërkohë që pagat e sektorit financiar arrijnë në dyfishin e mesatares, ato në sektorin agro-bujqësor mbeten 30% nën mesataren.

Në raport nuk është lënë pa u përmendur edhe tërmeti i 26 nëntorit, ku thuhet se ai detyroi qeverinë të ndryshonte buxhetin e vitit 2020, duke akorduar fondin prej 150 milionë eurosh për rindërtim. Por Brukseli thekson se Banka e Shqipërisë nuk ka vlerësuar deri më tani impakt të drejtpërdrejtë të tërmetit në ekonomi, çka e ka lejuar atë të mos ndërhyjë në politikat e saj monetare.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Qeveria indekson pensionet me 4.1 për qind, si e vlerësoni?