Raftet dhe mobiliet, sot dalë mode, sixhadetë dhe orenditë, janë ende atje në vilën më të famshme të Bllokut në diktaturë. E konservuar në kohë dhe hapësirë, prej pothuaj tridhjetë vitesh, vila e ish-diktatorit qëndron e paprekur. Ndaj Vasilis Kekatos, fituesi i Palmës së Artë në festivalin e filmit në Kanë, ishte sot në një konferencë për mediat në Vilën e diktatorit Enver Hoxha
Kekatos u vlerësua, sepse xhiroi në 8 orë në një pikë karburanti filmin me metrazh të shkurtër “Distanca mes nesh dhe qiellit” dhe arriti të fitonte Palmën e Artë për filmin më të mirë me metrazh të shkurtër. Tani ai synon një tjetër film të kësaj natyre. Thotë se do të realizojë me ndjeshmëri një film rreth problemeve sociale të diskriminimit ndaj orientimit seksual.
“Unë nuk vij këtu si një kineast që ka bërë një film ngacmues, si një formë të shprehuri midis komedisë së zezë dhe dramës, etj. Më ftuan këtu sepse kam fituar një çmim për këtë film, por sot do të shfaq 3 filma që kam bërë, që janë komplet të ndryshëm. 2 janë të ngjashëm, por në kontrast me njëri- tjetrin. “
Vasilis Kekatos vjen për herë të parë në Shqipëri, dhe na fton në eksperiencën e tij kinematografike dhe në një bashkëbisedim të hapur me këdo që do të jetë pjesëmarrës, mbi kreacionin dhe sfidat përkundër çdo vështirësie. Filmi do të realizohet në mjediset e vilës së Hoxhës, ku diktatori dhe familja e tij ka jetuar për 30 vite me radhë, deri në rënien e komunizmit.
“Unë kam ardhur këtu vetëm për të festuar jetën dhe artin. Nuk kam ardhur këtu me idenë për t’i dhënë një veshje politike. Vij këtu thjesht si një artist dhe jam shumë i lumtur që shumë të rinj do të vijnë këtu sot, sepse është këndshëm ta kesh këtë ndërtesë të hapur për njerëzit qe ata të vijnë të shohin. Te shohin një pjesë të historisë që ndoshta nuk e njohin, ose thjesht e imagjinojnë.”, tha Kekatos.
Ky film i tipit kinema nomade, realizohet nga Cine Tarkovsky, që ftoi Vasilis Kekatos në Shqipëri, për të përdorur Vilën e famshme shqiptare, jo për ndonjë lidhje të veçantë metaforike, por si një “karem” për tërheqjen e vëmendjes.
“Ne jemi vende fqinje, kështu që ne e njohim një pjesë të historisë së Shqipërisë dhe ndihemi shumë afër me ju. Kështu që për mua, siç po thosha dhe sot kur më pyetën si u ndjeva kur erdha ne Shqipëri, u thashë që nuk e kam kuptuar se kam ndryshuar vend. Kur kalova kufirin m'u duk sikur isha ne te njëjtin peisazh. Duke pasur të njëjtin peizazh, është si të kemi të njëjtën kulturë në njëfarë mënyre. Dhe mendoj se të dyja palët kemi pasur një histori të fuqishme politike.”, u shpreh ndër të tjera regjisori Kekatos.
Në të vërtetë Vasilis Kekatos di shumë pak për figurën e Enver Hoxhës.
“Nuk është se di gjithçka për Enver Hoxhën, por e njoh natyrën e personalitetit te tij, të paraqitjes se tij historike. Di që ka njerëz që e kanë mbështetur, që ka edhe njerëz që nuk e mbështesin. Ishte një personalitet kontrovers në histori. Mendoj se edhe tani është mjaft e freskët gjithë çfarë ndodhi sepse edhe pse kanë kaluar 30 vjet, ka ende njerëz që janë ende të rinj dhe e kanë përjetuar diktaturën.”, tha ai
Aktorët pohojnë se të luash rolin e atyre që kanë një orientim seksual ndryshe, nuk do të thotë të jesh patjetër pjesëtar i grupit LGTB, por improvizim I tyre do të realizohet me të gjithë ndjeshmërinë humane. I pyetur nëse ndonjë aktorët ka një histori personale, Kekatos u shpreh se “Nuk mund të përgjigjem për identitetin seksual të dikujt tjetër. Është punë e tyre. Unë di vetëm për veten time. E di që artisti Joko është performues dhe e kam parë në një nga performancat e tij dhe as nuk e dija që ishte aktor. Pashë vetëm fytyrën e tij dhe thashë "e dua këtë djalë në filmin tim”. Nuk ndodhi e njëjta me gjë me Nikolaqisin. E dija që ishte aktor. Nuk kam punuar më parë me të, por e kam parë si luan.”, tha regjisori Vasilis Kekatis.
Artistët që realizojnë projektin janë Neritan Zinxhiria, që ka përfaqësuar prej 2008 Greqinë, Italinë, Shqipërinë e Rumaninë me filma të shkurtër, i vlerësuar me çmime për artin e tij bashkëkohor. Është Joko. Është dhe artisti grek Stavros Niarchos, që bashkëthemeloi me Iphi Ghenie-n kinemasë Pop Up Tarkovsky; Iphi Ghenie (Ifi Gjeni) është arkitekte, urbaniste, kërkuese shkencore dhe pedagoge e jashtme në Fakultetin e Arkitekturës në Tiranë, etj. Kinemaja në vilën e Hoxhës hapet sot në mbrëmje, me hyrje të lirë për publikun, vetëm për një natë.