PËRMET- Toka ka përpirë shtëpitë e 4 vëllezërve Kalemi në Katundishtë të Këlcyrës. Dyshemeja dhe muret janë çarë....
25 anëtarë të 4 familjeve janë prej dy netësh në qiell të hapur. Ata tregojnë për Report TV se dëgjuan zhurmë teksa binte shi i furishëm, ndërsa dyer nuk hapeshin.
“ Kur u ngritëm në mëngjes nuk hapej as dera e kam hapur me shkelma”.
“Shtëpitë janë hapur, jemi në qiell të hapur”, tregon Brahim Kalemi.
E trishtuar Shaze Kalemi thotë se mundi i një jete ka shkuar dëm, ndërsa e ardhmja është e pasigurt.
“Fillimisht u hap pak toka, më pas u hap më shumë.
Ku jetoni tani? Tek Reshat Kalemi na hapi një dhomë ai dy ditë, tani s’dimë më ku të shkojmë. Gjithë mundi djersa jonë këtu është hedhur. Ku do strehohemi ne është dimër tani”, tregon Shaze Kalemi.
“Ata të bashkisë erdhën bënë filmime na çuan në një banesë. Të paktën të na japin një çadër. Na thanë do vijnë ata të gjeologjisë, por deri kur të gjendet një zgjidhje ne s’kemi ku të rrimë. Kam një apel për kryeministrin të na ndihmojë në këtë situatë të vërë dorën në zemër. Jemi 25 persona që jetojmë këtu dhe kemi mbetur në qiell të hapur. Shteti të vërë dorën në zemër, ku do rrimë ne tani, ku do rrojnë fëmijët? S’kemi lekë asgjë ku të shkojnë ne tashti?!. Unë jam e vetme, burri më ka vdekur, fëmijët i kam jashtë, lekë s’kam pension s’kam. Ka rrëshqitur dhe një herë para 4 viteve, por jo kaq shumë, kësaj radhe na mori fare”, thanë më tej, Brahim, Flamur Shaze, Famira dhe Xhemile Kasemi.
Katundishti fshati malor në Bashkinë e Këlcyrës popullohet nga 250 banorë. Siç shihet në pamjet e Report TY më e prekur nga erozioni është lagja e sipërme Kalemaj.
Zyrtarët e Bashkisë së Këlcyrës kanë inspektuar zonën dhe kanë raportuar pranë Emergjencave Civile. Ata ende nuk e kanë një përgjigje për fatin e këtyre banorëve. Fillimisht 25 anëtarët e familjes Kalemi janë strehuar tek fqinjët, derisa të kryhet studimi gjeologjik i tokës. Ndërsa përmes Report Tv ata apeluan qeverinë t’u ndërtojë shtëpitë e reja.