Duhet të ketë kaluar shumë kohë që kur 60-vjeçari nga Tolar i Këlcyrës s’kishte shijuar kaçupin ose siç njihet në zonë qumështin e fermentuar në lëkurën e deles.
Aq i etur duhet të ketë qenë S.S, saqë pa i treguar askujt vendosi të ngjitet në një stan të huaj në mal dhe të qëndrojë aty për 6 ditë.
Nga ana tjetër familja e shpalli të zhdukur dhe denoncoi në polici. Por burri u gjet në Nivicë të Tepelenës kur vetë zbriti nga mali sepse nuk mundi të pinte asnjë gotë dhallë dhe as një hurmë apo gllënkë kaçupi.
Ky produkt është i rrallë dhe përgatitet në lëkurën e deles nga barinjtë mjeshtra, trashëguar brez pas brezi. Përveç shijes qumështi i fermentuar në temperatura të ftohta, sipas mënyrës së mijëra viteve me parë, njihet edhe si kurues për disa sëmundje.