Shqiptarët janë shndërruar në përmbysësh tavolinash dasmash, në mallkues të atyre që tregojnë në sytë e të gjithëve mirëqënien e jashtëzakonshme, luksin e niveleve më të larta, veshjet e firmave më të njohura, vende ekskluzive dhe përrallore, pushime me shumë yje, rininë e përjetshme përmes operacionesh të kushtueshme. Të përmbytur nga ky realitet, disa prej nesh po arrijnë të mallkojnë dasma e të urojnë vdekje. Një uragan marramendës i krijuar nga gjellët e helmuara të ngjarjeve që disa të tjerë ofrojnë në opinion, për t’i gëlltitur.
Është krijuar ajo që dikush, ose disa, deshën dhe arritën ta bëjnë: Të përziejnë e të ngatërrojnë njerëz dhe situata, të ndershëm me të pandershëm, hajdutë me të drejtë, të vërtetë me gënjeshtarë, dembelë me punëtorë, kriminelë me biznesmenë, shëronjës me vrasës, tregtarë me bamirës...
E në këtë atmosferë të helmuar mallkimet janë “garancia” e një lirie të fituar: Të shaj se ndryshe do të plas ndërsa shoh djalin apo vajzën e filanit të arrijë aty ku asnjë shqiptar nuk e kishte menduar dhe nuk mundet të arrijë ndershmërisht; me një garë të barabartë.
Drejtësia që deri më sot është treguar ndëshkuese, duhet të kalojë në fazën e një drejtësie që duhet t’i tregojë një populli të përmbytur nga e pavërteta se ku dhe si e drejta qëndron. Kush janë hajdutët dhe kush njerëzit korrektë, kush gënjeshtarët dhe kush manipuluesit. Duhet të thuhet me zë të lartë kush është fajtor, por edhe kush është i pafajshëm në këtë vend të plagosur nga mungesa e gjatë e të Drejtës së mirë. Nga Drejtësia, pritet Dritë.
Komente
