Kemi Badenoch është udhëheqësja e re e Partisë Konservatore në Britani, pasi mposhti kandidatin Robert Jenrick në votimet e brendshme të partisë, duke u bërë liderja e parë me ngjyrë e një partie të madhe në Mbretërinë e Bashkuar dhe gruaja e katërt që drejton konservatorët.
Badenoch mori mbi 56% të 95,000 votave të anëtarëve të partisë që morën pjesë në zgjedhje.
Pas fitores, Badenoch tha nga Londra se konservatorët duhet të pranojnë realitetin nëse duan të rifitonin mbështetjen e qytetarëve, pas rezultatit katastrofik të zgjedhjeve të korrikut, i cili uli numrin e tyre të deputetëve në 121, pas më shumë se një dekade në pushtet.
Deputetja nuk kurseu as vlerësimet për rivalin e saj në garën për kreun e Partisë Konservatore, duke thënë se pavarësisht qëndrimeve kontradiktore në disa tema, Jenrick do të vazhdojë te jetë një vlerë për partinë.
Kryeministri, Keir Starmer, uroi Badenoch për fitoren e saj, duke thënë se arritja e saj për t'u bërë liderja e parë me ngjyrë e një partie në Westminster është "moment krenarie për vendin tonë".
Ed Davey, kreu i Liberal Demokratëve, uroi gjithashtu 44-vjeçaren, duke shtuar se partia e tij do të "vazhdojë të ofrojë opozitën më të mirë ndaj qeverisë".
Badenoch, 44-vjeçare, zëvendëson ish-kryeministrin Rishi Sunak, dhe është zotuar për ta udhëhequr partinë në një periudhë rigjenerimi, pas humbjes në zgjedhjet e përgjitshme të korrikut në Britani.