'Kemi forcën për të dyja frontet', Qatip Osmani: Reflektuam pas humbjes në Kukës, jemi gati për Erzenin

28 Mars, 10:42| Përditesimi: 28 Mars, 16:11

  • Share

Vllaznia dhe Erzeni luajnë nesër në "Loro Boriçi" të Shkodrës duke nisur nga ora 19:00. Sfida vlen për raundin e 29-të në Superligë, ndërsa skuadrat rikthehen pas pushimeve për shkak të ndeshjeve të Kombëtares.

Përpara medieve foli Qatip Osmani, trajneri i Vllaznisë. Ai tha se humbja e fundit në Kukës është lënë pas dhe tanimë lojtarët po mendojnë për duelin me Erzenin.

"Pushimet - Patëm një javë të ngarkuar dhe këto dy javë pushim i kemi shfrytëzuar për të konsoliduar ekipin. Qëllimi ynë është suksesi kundër Erzenit. Të gjitha ndeshjet me Erzenin rezultati ka qenë i ngushtë edhe pse në ndeshjen e fundit rezultati bindës erdhi në fundin e lojës. Duhet të respektojmë çdo ekip paçka se në çfarë pozita janë. Nesër presim të futemi në fushë dhe të fitojmë lojën.

Mungesat - Smajli dihet që ka pasur paraqitje të mira dhe na shqetëson çdo mungesë. Besoj se zëvendësuesi i tij do jetë në nivel, kemi lojtarët e duhur.

Humbja në Kukës - Kemi biseduar me lojtarët, në atë takim vendosën gabimet individuale. Të mësojmë nga ato, pasi me ekipet që luftojnë për mbijetesë është më e vështirë.

Rikthimi i portierit Qarri - Sot do vendosim, ai është stërvitur normalisht.

Ndeshja - Është më e vështirë kundër ekipeve që luajnë për mbijetesë. Mos nënçmojmë asgjë, nuk ka vend dhe ndeshje të lehta. Duhet shumë kujdes në çdo ndeshje. Kampionati nuk është i çuditshëm, është interesant. Dallimi është i madh mes ekipeve që luftojnë për mbijetesën dhe titullin, por në fushë nuk vërehet.

Fundi i sezonit - Na pret një periudhë e rëndë. Janë 45 ditë që do kemi 12 ndeshje. Kupa? Kemi Erzenin nesër sepse çdo fitore na çon më afër "Final 4" dhe jemi të fokusuar në këtë duel. Ne punojmë që të jemi të gjithë bashkë dhe lojtarët të ndihen të rëndësishëm dhe mundohemi të jemi gati si në Kupë si në kampionat.

Kombëtarja? Ndeshja me Suedinë tregoi se Shqipëria ka kualitete për ndeshje të mëdha, ato që na presin në Euro 2024. Paraqitja ka qenë e mirë dhe mendoj se pamë diçka që nuk ishte as në kualifikuese.

Armando Broja? Kam një mendim shumë pozitiv, mendoj nuk duhet diskutuar nëse duhet ose jo në fushë", tha Osmani.

Pas 28 ndeshjeve të luajtura, Vllaznia me 49 pikë mban vendin e dytë në renditje, dy më pak se Egnatia kryesuese. Nga ana tjetër Erzeni me 27 pikë ndodhet në pozitën e parafundit (9).

S.Dh//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?