Orges Shehi

"Kemi objektiva madhorë, nuk na lejohet të pësojmë 3 gola", Shehi: Bylis ndeshja e radhës

15 Tetor 2022, 15:44
  • Share

Tirana luan nesër në transfertë me Bylis. Në 15:00 dy skuadrat përballen në "Adush Muça" për javën e tetë të Superligës. Para mediave, trajneri i kampionëve në fuqi, Orges Shehi ka vlerësuar kundërshtarin duke e quajtur si ndeshjen e radhës. Për durrsakun një ekip si Tirana që ka objektiva madhorë nuk mund të pësojë tre gola në një ndeshje në shtëpi.

"Bylisi – E shohim si përballje e radhës dhe si një kundërshtar që ka bërë mirë këto javë dhe jo më kot është një pikë poshtë nesh sepse ka marrë atë që ka prodhuar. Kundërshtarë që meriton vlerësim dhe respekt.

Mungesat – Gjendja e grupit është e mirë. Na kthehet Lulaj nga pezullimi. Na mungon Najdovski për shkak të dëmtimit ndërsa pjesa tjetër është e gatshme dhe e gjitha për ndeshjen e nesërme", tregoi Shehi fillimisht.

Trajneri foli edhe për titullarët që pushuan në Kupë dhe mungesat. Najdovski për shkak të lëndimit qëndron jashtë ndërsa rikthehet Bruno Lulaj që pritet të marrë një vend në qendër të mbrojtjes.

"Titullarët pushim në Kupë – Duke pasur parasysh ndeshjen e parë të Kupës, ishim komod me rezultatin dhe menduam të aktivizojmë lojtarë që s’kanë marrë minuta plus 2-3 elementë nga akademia. Kemi pakënaqësitë tona për mënyrën e vlerësimit të kundërshtarit por e rëndësishme është kualifikimi dhe duke parë që ndeshja e parë ishte përcaktuese i gjithë fokusi ishte në ndeshjen me Bylisin dhe për këtë arsye shumë lojtarë ishin pushim.

Me Laçin shumë punë por një pikë, si përgatiteni për Bylisin? E vërtetë që me Laçin ishte një ndeshje e fortë. Pati shumë intuitë por jo përqëndrimin e duhur sepse disa situata mund t’i zgjidhnim më mirë dhe mund të merrnim pikët e plota. Na ka vlejtur përsa i përket vazhdimësisë pasi vinim nga derbi si fitimtar dhe më pas lam pikë. Duhet të korigjojmë këto gabime dhe të shohim përpara.

 Sulmi më i mirë por vetëm 3 shënuas – Nuk është çështje përgjegjësie, jemi të kënaqur me sasinë e golave që kemi shënuar. Pas këtyre javëve, prodhimtaria është më e mirë se sezonin e kaluar pasi barometri është gjithmonë sezoni i kaluar ku fituam titullin. Futbolli kështu është nuk mund të shënojnë të gjithë. Jemi të kënaqur por shpresoj se edhe lojtarët e tjerë të jenë determinantë.

Mbrojtja jo fikse – Nga skuadra e vjetshme na është larguar një kapiten si Hoxhallari dhe ai na ka lënë një boshllëk përsa i përket organizimin dhe fazën mbrojtëse. Ishte një kapiten, na orientonte në fushë por edhe e nxirrte skuadrën nga momentet e vështira. Sigurisht që në atë pozicion, lojtarët që kemi aktivizuar kanë pasur fatin e tyre të keq pasi në disa episode janë ndëshkuar edhe me të kuq. Shpresojmë të konsolidohemi dhe gradualisht të kthehmi te ajo skuadër që ishim. Kemi qenë mirë përveç kësaj ndeshje me Laçin. Një skuadër që pretendon objektiva madhore nuk është normale që të pranojë 3 gola brenda një ndeshje", përfundoi Shehi.

S.Dh/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?