Partizani dhe Kastrioti luajnë nesër në 16:00 për javën e 26-të në Superligë. Dueli merr luhet në kompleksin e të kuqve, teksa përballja është komentuar edhe nga trajneri i "Demave". Giovanni Colella e sheh një duel të vështirë, me Telushin dhe Maguette që kanë probleme. Pas 25 ndeshjeve, Partizani me 41 pikë mban vendin e dytë, tre pikë më pak se Tirana kryesuese. Krutanët me 24 pikë qëndrojnë në vendin e fundit.
"Atmosfera? Sigurisht që nuk jemi të lumtur pas atij elimimi nga Kupa, por jemi të sigurtë që kemi zhvilluar një ndeshje të mirë dhe shpresojmë të bëjmë një ndeshje akoma më të mirë ndaj Kastriotit.
Kastrioti? Kanë kaluar katër muaj tashmë, gjatë kësaj periudhe ndryshojnë shumë gjëra, si për ne edhe për ata. Çdo ndeshje ka historinë e saj. Shikoni diferencën e dy përballjeve tona në Kupë ndaj Vllaznisë paraqitjen në Shkodër dhe atë në ndeshjen e kthimit në vetëm harkun e 15 ditëve. Imagjinoni distancën prej 4 muajsh. Për më teper kur tashmë po i drejtohemi fundit të kampionatit pikët janë më të rëndësishme si për ne edhe për Kastriotin. Krutanët janë një kundërshtar shumë i vështirë dhe tani që lufton për mbijetesë është akoma edhe më i vështirë.
Gjendja? Kemi me probleme me Telushin dhe Maguette, por të dy këta lojtarë nuk ishin në dispozicion edhe në ndeshjen e Kupës ndaj Vllaznisë. Pjesa tjetër janë të gjithë në dispozicion.
Gara me Tiranën? Unë duhet të mendoj për Kastriotin dhe jo për Tiranën, për të do të mendoj kur të luajmë derbin", tha Colella.