Kemi shpenzimet më të larta për vezë e qumësht në Europë në raport me të ardhurat, ndër çmimet më të shtrenjta

24 Mars 2022, 10:51| Përditesimi: 24 Mars 2022, 10:53

  • Share

Një individ shqiptar shpenzon mesatarisht 267 euro në vit për vezë, qumësht dhe djathë, sipas të dhënave që janë të publikuara në sistemin e të dhënave të Eurostat. Në krahasim me shtetet e tjera të rajonit, shpenzimet nominale për këto produkte janë më të lartat në rajon.

Serbët shpenzojnë për të njëjtat produkte 163 euro, ose 40% më pak. Maqedonia e Veriut shpenzon 198 euro, Mali i Zi 263 euro dhe Bosnjë Hercegovina 249 euro. Të dhënat i referohen vitit 2020, ndërsa Kosova nuk është e përfshirë në këto statistika.

Në raport me prodhimin e Brendshëm bruto, shpenzimet për këto produktet janë më të lartat në Europë, në 5.8% të PBB-së, shumë më e lartë sesa mesatarja e Bashkimit Europian prej 1%. E dyta pas Shqipërisë renditet Bosnjë Hercegovina, me 4.9% të PBB-së, e ndjekur nga Maqedonia e Veriut, me 3.8% të PBB-së.

Por, më shumë sesa konsum i lartë, shpenzimet e shtuara rezulton se vijnë nga çmimet më të shtrenjta të këtyre produkteve, ndonëse ato janë pothuajse prodhim vendas. Po sipas të dhënave të Eurostat, Indeksi i nivelit të çmimeve i Shqipërisë për grupin vezë, qumësht dhe djathë në vitin 2020 në krahasim me mesataren e bashkimit Europian (me 27 shtete) ishte 109, që do të thotë se konsumatorët vendas i blejnë këto produkte 9% më shtrenjtë sesa në pjesën më të madhe të vendeve europiane.

Ndërsa në rajon, veza, qumështi dhe djathi kushton më lirë në Maqedoninë e Veriut, me indeks 78.1, ose rreth 22% më pak sesa mesatarja e BE-së dhe 31% më lirë sesa në Shqipëri. Në mal të Zi indeksi është 91, në Serbi 94.1 dhe Bosnjë 82.5. në këtë mënyrë, Shqipëria është i vetmi shtet në rajon, ku familjarët i blejnë këto produkte bazë më shtrenjtë sesa mesatarja e Bashkimit Europian, ndonëse të ardhurat e tyre janë sa 30% e mesatares së BE-së.

Industritë në vështirësi

Industria e përpunimit të qumështit në Shqipëri, prej disa vitesh po përballet me vështirësi shumë të mëdha në treg, duke bërë që një pjesë e kompanive të përpunimit të qumështit të falimentojnë apo të jenë në vështirësi financiare, për shkak të problemeve të ndryshme, mungesës së skemave mbështetëse për blegtorinë, skemës disfavorizuese të TVSH-së, favorizimit të importeve, barrierave të shtuara për eksport, cilësisë së dobët të qumështit në ferma, tregut informal dhe rritjes së kostove javët e fundit nga kufizimet në ofertë që erdhën nga sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës.

Prej kohësh dhe në mënyrë sistematike, kjo industri ka ngritur zërin lidhur me kapacitetet reale të fermave blegtorale, të cilat nuk janë në gjendje të plotësojnë nevojat e fabrikave të përpunimit të qumështit, si nga ana sasiore, cilësore, duke përfshirë edhe sigurinë ushqimore.

Sipas INSTAT, në vitin 2020, prodhimi i qumështit te fermat ishte 1,05 milionë tonë, me një rënie prej 5,4% krahasuar me vitin 2019. Sasia e qumështit të grumbulluar për përpunim në vitin 2020 raportohet të jetë rreth 119 mijë tonë, ose 11% e sasisë së qumështit të prodhuar në ferma, duke shënuar rënie me 14,8% krahasuar me vitin 2019.

Industria e përpunimit të qumështit furnizohet me qumësht lope në një sasi rreth 897 mijë tonë, ose 85% e qumështit të prodhuar në ferma. Pjesa tjetër e furnizimit është e ndarë pothuajse në mënyrë të barabartë midis qumështit të deleve dhe qumështit të dhive (rreth 76 mijë tonë). Vetëm 22% e qumështit për konsum shitet në treg formal, 33% e baxhove rezultojnë të formalizuara, 15% e fermave kanë NIPT.

Edhe industria e prodhimit të vezëve javët e fundit, krahas rritjes së kostove të lëndëve të para dhe energjisë po vuan nga pasojat e gripit të shpendëve, që deri tani ka çuar në ngordhjen e 350 mijë pulave. Në vend, sipas INSTAT ka gjithsej 5 milionë pula. Deri tani është dëmtuar 7% e tyre./ Monitor

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?