Trajneri i Kombëtares, Sylvinho, zbardhi listën e futbollistëve për ndeshjen kundër Serbisë e cila luhet më 11 tetor në Leskovac dhe vlen për Grupin K kualifikues të Kupës së Botës 2026. Dueli është shumë i rëndësishëm për tanët, kjo për të vijuar rrugëtimin drejt ëndrrës 'Botëror 2026'.
Gjatë konferencës për mediet, i pyetur për lënien jashtë të Ernest Muçit dhe Anis Mehmetit, trajneri tha se donte 25 futbollistë në ekip dhe jo 28. Deri këtu gjithçka është e kuptueshme. Më pas trajneri shtoi se fluksi në krahun e majtë të sulmit la jashtë Muçin dhe Mehmetin.
"Muçi ka rrugëtim të ri, por siç e thashë ka shumë lojtarë në krahun e majtë. Duhet të zgjedh lojtarët. E zgjedh unë të shkoj me 25 lojtarë, jo me 28 në Serbi", tha trajneri Sylvinho.
Në një kërkim të thjeshtë, statistikat janë kundër Sylvinhos, pasi pikërisht Muçi, Mehmeti dhe Seferi, të cilët nuk janë grumbulluar, janë me më shumë minuta të aktivizuar me klubet e tyre.
Për krahun e majtë Sylvinho ka grumbulluar Arbër Hoxhën dhe Nedim Bajramin, i cili mund të luajë edhe në këtë pozitë. Si për ironi të fatit, dy emrat që Sylvinho ka të gatshëm kanë më pak minuta në fushë, sesa emrat që mund të ishin në ekip.
Ndërkohë, Muçi u aktivizua dje për 17 minuta në Turqi me Trabzonspor, në fitoren e ekipit të tij 4-0 kundër Kayserispor. Sulmuesi anësor ishte efikas në fushë, duke nxjerrë dy herë në pozicion goli shokët e tij të ekipit, por këta të fundit s'e kishin saktësinë e duhur.
Në Angli, Mehmeti mbetet futbollisti më i vlefshëm i Bristol City, duke shënuar katër gola këtë sezon.
Statistikat e futbollistëve këtë sezon:
Anis Mehmeti - 10 ndeshje këtë sezon, për 851 minuta në total
Taulant Seferi - 9 ndeshje këtë sezon, për 624 minuta në total
Ernest Muçi - 10 ndeshje këtë sezon, për 456 minuta në total
Arbër Hoxha - 9 ndeshje këtë sezon, për 426 minuta në total
Nedim Bajrami - 9 ndeshje këtë sezon, për 163 minuta në total
Komente
