Kenan Yildiz po konfirmohet si një nga lojtarët më premtues në radhët e Juventusit dhe klubi bardhezi është gati ta shpërblejë për rritjen dhe kontributin e tij të vazhdueshëm.
Nën drejtimin e Igor Tudor, talenti turk është kthyer në një pikë kyçe të skuadrës, veçanërisht gjatë Kupës së Botës për Klube, ku ka spikatur me tre gola në dy ndeshje, duke u kthyer në një nga lojtarët më efektivë të “Zonjës së Vjetër” në këtë turne.
Duke parë formën e tij dhe potencialin afatgjatë, Juventusi po përgatit rinovimin e kontratës, edhe pse Yildiz e ka rinovuar pak muaj më parë deri në vitin 2029, me një pagë aktuale prej 1.5 milionë eurosh në sezon.
Sipas medieve italiane, bisedimet do të nisin menjëherë pas përfundimit të Botërorit të Klubeve. Yildiz kërkon një pagë të përmirësuar, në nivelin e 5 milionë eurove në sezon, ndërsa Juventusi është i gatshëm të ofrojë 3 deri në 4 milionë euro, për të ruajtur balancat financiare të skuadrës.
Ky rinovim do të jetë një sinjal i fortë për besimin që klubi ka te 19-vjeçari, i cili shihet si pjesë qendrore e projektit të së ardhmes për Juventusin. Në treg vlera e tij ka kapur shifrën e 100 milionë eurove.
Komente
