"Kënaqësitë e tradhtisë" do të shfaqet në skenën e Teatrtit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në datat 27, 28, 29, Prill, me regji nga Lorin Terezi, nën interpretimin e Kristjana Dodaj dhe Ledjon Zoit. Kjo është një komedi me tri akte e shkruar nga dramaturgu i njohur rus, Valentin Krasnogorov.
Protagonistët e dramës janë Ai dhe Ajo, një çift dashnorësh që shkelin kurorën në rrethana të ndryshme. Kjo vepër trajton një kompleksitet ndjenjash në tërësinë e vet.
Në aktin e parë Ajo do të martohet të nesërmen dhe Ai (i martuar prej kohësh), e ndihmon me përgatitjet e dasmës. Në aktin e dytë, Ai dhe Ajo, janë një çift dashnorësh që persekutohen nga frika se mos kapen në flagrancë. Në aktin e tretë ata janë një çift dashnorësh, prej vitesh në fshehtësi, në prag të ndarjes. Ata përplasin sakrificat e secilit për këto pak çaste lumturie dhe akuzojnë njëri-tjetrin për mungesën e guximit për t'i dhënë fund martesave reciproke që më në fund të kurorëzojnë dashurinë me njëri-tjetrin. Situatat komike dhe absurde të dramës nuk janë aspak pjesë e një komedie të lehtë sepse në nënshtresat e saj fshihet njeriu në gjithë kompleksitetin e tij tragjikisht të pashpjegueshëm.
Kjo dramë me një titull provokativ është në të vërtetë një abstragim mbi dashurinë, tradhtinë, martesën, kompromisin dhe njeriun... Nëpërmjet humorit dhe situatave komike, që vijnë nga rrethanat absurde ku karakteret përfshihen, si viktima të pasionit të verbër dhe irracional, përcillet edhe drama e mungesës së lirisë, e pengut të zgjedhjes fillestare, e joshjes nga dashuria e ndaluar. Kjo shfaqje flet për dashurinë, tradhtinë, martesën, kompromisin dhe njeriu me gjithë ndryshimet e tij.
Pas Tiranës, komedia do të vijojë të shfaqet çdo fundjavë të muajit maj në të gjitha teatrot kryesorë të Shqipërisë, si: Korçë, Shkodër, Vlorë, Elbasan, Fier, Durrës, Dibër, etj.