Kënga napoletane erdhi për dy mbrëmje radhazi në amfiteatrin antik të Durrësit, ndërsa artistë nga të dy qytetet bregdetare kënduan së bashku disa nga partiturat që nisin nga autorë të shek. 18-19 si omarosa e Paisiello, por edhe këngë të folkut shqiptar.
Megjithëse kishin “konkurencën TV” të dy ndeshjeve të futbollit evropian, këngëtarët vendas dhe të huaj krijuan një atmosferë mjaft të këndshme argëtimi për shikuesit durrsakë dhe ata italianë me siglën “Këndo Napolin në Shqipëri”.
Bashkë me notat e muzikës tradicionale të Napolit, grupi “Il Calimma” solli në arenën e monumentit antik edhe përvojën e krijuar në vendin fqinj për vlerësimin dhe njohjen e muzikës së popullit, por edhe të gjuhës napoletane, të cilat janë shpallur nga UNESCO pjesë e trashëgimisë kulturore botërore.
Ndërkaq, nuk munguan homazhet dhe veprimtaritë e veçanta për autorin e njohur të këngës napoletane, Sergio Bruni, në 100-vjetorin e lindjes.
Drejtuesi i këtij grupi, Raffaelle Cardone tha se artistët dhe shoqata “Illimitarte” ku ata bëjnë pjesë synojnë një marrëdhënie të ndërsjellët edhe me kulturën e vendeve të Mesdheut.
“Tashmë ky bashkëpunim që është krijuar me vende si Portugalia dhe Spanja po shtrihet në vende të tjera, ku bën pjesë edhe Shqipëria e Greqia, po edhe Arabia Saudite, ku ne kemi dhënë disa koncerte – tha instrumentisti nga Napoli.
Artistëve italianë Cardone, Massimo Capocotta dhe Marcello Basile, iu bashkuan edhe këngëtarët durrsakë Luljeta Strefi, Alban Kamenica dhe Kosta Bonshi, të cilët interpretuan këngë shqiptare dhe napoletane.
Veprimtaria e dy ditëve të fundit është organizuar nga bashkëshortët Luljeta Strefi e Giuseppe Palumbo dhe shoqata “Neë Umor Sound” me qendër në Durrës, e cila një vit më parë u bë nismëtare e pjesmarrjes on line të këngëtarëve shqiptarë në Festivalin e Napolit.