Spektatori shkodran ka përjetuar një tjetër mbrëmje të bukur me këngët e festivalit “Luleborë”, në natën finale të edicionit të 8-të të zhvilluar në teatrin “Migjeni”, i mbushur në të gjithë kapacitetin e tij.
Me vargje të Filip Shirokës dhe muzikë të Alfred Kaçinarit, poezia e kthyer në këngë "Shko dallëndyshe" u vlerësua nga juria me çmimin e parë të festivalit "Luleborë". Këngëtari Gjergj Kaçinari, i emocionuar pas fitores tha se ky ishte bashkëpunimi i parë artistik me babai e tij.
“U largum nga tekstet klishe. Ky festival, me këtë emër, duhet të impoonoje sa më shumë motivet e muzikës shkodrane të vjetër. Donim doemos të luanim këtë linjë”, tha fituesi i çmimit të parë, Gjergj Kaçinar.
Çmimi i dytë i festivalit iu dha këngëtarit nga Gjakova Artan Bakija me këngën "Ndjenja e dëshpërimit" ndërsa me çmimin e tretë u vlerësua Laorjan Ejlli me këngën "Gjithë jetën dashuri kërkojmë".
Me çmimin "Simon Gjoni", kompozitorit të Luleborës, juria vlerësoi duetin e Ea Zoga dhe Arseld Muça, me një këngë protestë ndaj luftës.
“Nuk e mendoja se do fitonim ndonjë çmim dhe pse kënga ishte jashtëzakonisht e bukur. Jam lumturuar jashtëzakonisht shumë”, tha Ea Zoga, këngëtare.
“Ajo çka na gëzoi shumë dhe mikpritja e publikut. Shoqërimi me orkestrën kaq profesionale, na rriti shumë artistikisht”, tregoi këngëtari, Arseld Muça,
"Luleborë", festivali i organizuar nga Bashkia Shkodër mbetet një pikë referimi për artistët e qytetit por edhe përtej.
“Janë vlerësuar këngët e mira. Muzika e mira. Është pikë e rëndësishme e këtij festivali që vazhdon të konfirmohet ndër vite”, tha Drejtor Artistik i festivalit, Markelian Kapidani.
Komente
