Me etyd vallesh e zërin e Malvina Likës, Folk Fest 2023 rikthen “Qëndistaren e flamurit”. 111-vjet më parë Marigo Posio qëndisi simbolin kuq e zi që valëvitën firmëtarët, ndërsa shpallën Pavarësinë...
Teatri i Operas i rri ngushtë shqiptarëve të mbledhur këtë 28 nëntor nga të gjitha trojet tona dhe Diaspora, ndërsa ‘Vallja e Shqiponjave” çon zemrat peshë
Këto ‘perla’ të traditës, janë përzgjedhur nga Festivali Folklorik i Gjirokastrës.
I bëhet homazh babait të kombit, Ismail Qemalit..
Buçasin lodrat, bien dajret, dëgjohet Eposi i Kreshnikëve, lahuta rrëfen trimërinë, besën e shqiptarëve, bukurinë e Bjeshkëve...
Ndrisin xhamadët, vallja valëvit fustanellat, xhubleta, cibuni, tirqet e plisi, mbahen plot krenari nga Artistët e Ansamblit Popullor në Shqipëri dhe “Shota” e Kosovës...
Kabaja përmetare, zërat polifonik, dasma krutane, vashëzat e djemtë arbëreshe, në valle, këngë e veshje, rrëfejnë histori. Tradita si amanet i të parëve, është ruajt si më i shtrenjti xhevahir...
Folk Fest bashkoi Shqiptarinë në traditë...