Kosova & Rajoni

4 vite pa asnjë njohje, Kenia shteti i 118-të që njeh pavarësinë e Kosovës! Osmani: Hap i madh diplomatik! Begaj: Vendim i shumëpritur

26 Mars, 14:38| Përditesimi: 26 Mars, 22:27

  • Share

Kenia theu boshllëkun diplomatik për njohjet e reja ndaj Kosovës duke u bërë shteti i 118 që njeh pavërësinë saj të shpallur në vitin 2008. Lajmi u njoftua nga politikani Behgjet Pacolli i cili ka mbajtur dhe detyrën e ministrit të jashtëm të Kosovës. Në njoftimin e publikuar në rrjetet sociale Pacolli thotë se bisedimet me shtetin e Kenias, kanë nisur që prej vitit 2009 dhe përfundojnë me sukses me njohjen e Kosovës. 

Kjo njohje nuk është thjesht një deklaratë – është një fitore e madhe për shtetin e Kosovës, është zëri i lirisë sonë që dëgjohet thellë në zemrën e Afrikës, thotë Pacolli pas dhënies së lajmit të mirë, teksa falenderoi edhe tiranën zyrtare, me Edi Ramën dhe Bajram Begaj n të cilët e kanë ndihmuar gjatë procesit.

"Sot, Kosova shkruan histori! 17 vjet pas Pavarësisë, në një ceremoni të jashtëzakonshme e të paharrueshme, Republika e Kenias – një nga shtetet më të rëndësishme të Afrikës – e njohu zyrtarisht Republikën e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran! Kjo njohje nuk është thjesht një deklaratë – është një fitore e madhe për shtetin e Kosovës, është zëri i lirisë sonë që dëgjohet thellë në zemrën e Afrikës! Sot, flamuri ynë i shtetit ngrihet lart me krenari në Nairobi, dhe kjo është një dëshmi se Kosova ecën përpara, fuqishëm dhe me dinjitet kur punohet dhe ka vullnet për të!

Kjo fitore nuk erdhi rastësisht. Ajo është fryt i një pune të gjatë, të palodhur, me përkushtim e sakrificë. Që nga viti 2009, unë personalisht kam lobuar dhe kam biseduar me autoritetet keniane për ta bërë këtë ditë realitet. Kam shkuar derë më derë, zyrë më zyrë, me vetëm një qëllim – të bëj të njohur zërin dhe të drejtën e popullit të Kosovës për liri, pavarësi dhe sovranitet. Presidenti William Ruto, i qëndroi fjalës së dhënë në vitin 2016. Ai e vizitoi Kosovën në vitin 2019 dhe e ndjeu fuqinë dhe vendosmërinë e popullit tonë. Në vitin 2023, gjatë vizitës time në Nairobi, ai e bëri hapin e parë duke njohur pasaportat tona. Sot, në një ceremoni madhështore, ai e tha me zë të lartë: Kosova është shtet i njohur nga Kenia!

Kjo është diplomaci me rezultat. Kjo është Kosova që e respektojnë! Kjo është fitorja e dinjitetit tonë kombëtar në arenën ndërkombëtare! I bëj thirrje Qeverisë së Kosovës që menjëherë të vendosë marrëdhënie diplomatike me Kenian dhe të hapë një Ambasadë të përbashkët me Repbulikën e Shqipërisë në Nairobi. Kosova duhet të jetë prezente aty ku respektohet dhe mbështetet – në zemrën e Afrikës! Kjo ambasadë do të jetë porta e Kosovës për të hyrë fuqishëm në kontinentin afrikan, për të ndërtuar aleanca të reja politike, ekonomike dhe kulturore.

Dua te shpreh falenderimin për bashkëpunëtorin tim të ngushtë, Jetlir Zyberaj i cili ka qenë në mënyrë permanente syri dhe veshi im jo vetëm në këtë proces të rëndësishëm për Kosovën. Një falënderim të veçantë dua t’i shpreh edhe Shqipërisë, presidentit Begaj dhe kryeministrit Edi Rama të cilët më kanë dhënë mbështetje shtetërore", tha Pacolli. 

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani shprehu falenderime për Presidentin Uilliams Rutto, i cili ka vizituar Kosovën në të kaluarën. Ajo e cilësoi njohjen e re të shtetit dhe pavarësisë së Kosovës një dëshmi e mbështetjes së vazhdueshme për të drejtën e popullit të Kosovës për liri, pavarësi, sovranitet dhe integritet territorial. Njëkohësisht është edhe njohje e vuajtjeve të gjata e sakrificës shekullore të popullit të Kosovës për liri, thotë Osmani. Vendimi u përshëndet edhe nga Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj, i cili falenderoi homologun e tij kenian në një postim në X.

Njohja e fundit ndërkombëtare e Kosovës datonte në shtator të vitit 2020 kur Izraeli mori vendimin e rëndësishëm diplomatik. Qeveria e Albin Kurtit është akuzuar dhe kritikuar shpesh për faktin se gjatë këtij mandatit të tij të plotë qeverisës nuk shënoi asnjë njohje të re duke dështuar në këtë fushë.  

Ora 22:21
Kenia njohu pavarësinë e Kosovës, reagon Serbia: Shkelje e kartës së OKB, akt armiqësor ndaj nesh

1743024229_serbi.jpg

Serbia e ka konsideruar një akt armiqësor njohjen e Kosovës nga Kenia, ndërsa ka paralajmëruar se do të ndërmarrë masat e nevojshme diplomatike dhe politike ndaj saj. 

Në një deklaratë, ministria e Jashtme e Serbisë theksoi se një veprim i tillë paraqet shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare dhe të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Kjo njohje, sipas Beogradit zyrtar, minon gjithashtu përpjekjet për "dialog konstruktiv, stabilitet rajonal dhe respektimin e rendit juridik ndërkombëtar".

"Një vendim i tillë minon përpjekjet që synojnë dialogun konstruktiv, stabilitetin rajonal dhe respektin për rendin juridik ndërkombëtar. Ne theksojmë veçanërisht se referimi ndaj vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë është i pabazuar. Në të njëjtën kohë, ky vendim paraqet gjithashtu një precedent të trishtuar në marrëdhëniet tradicionalisht miqësore midis Serbisë dhe Kenias, marrëdhëniet që janë ndërtuar në kuadrin e ndërsjellë të bashkëpunimit dhe dekadës. ”, thuhet në deklaratën e ministrisë së Serbisë. 
 

Ora 17:13
Kenia njeh pavarësinë e Kosovës, Osmani: Vendim i drejtë dhe hap i madh diplomatik

1743005658_80001743003605xvjosaosmani1.jpg

Vjosa Osmani dhe  dhe homologu i saj kenian, William Rutto

Kosova ka marrë ditën e sotme një njohje të re nga Republika e Kenias si një shtet të pavarur dhe sovran. Lidhur me këtë ka reaguar Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani e cila në facebook, shpjegon se ky vendim i nënshkruar nga Presidenti i Kenias, përfaqëson një hap të rëndësishëm në procesin e njohjes ndërkombëtare të Kosovës.

Osmani shkruan se vendimi është një dëshmi e mbështetjes për liritë e Kosovës. Ajo tha se populli i Kosovës shpreh mirënjohjen e saj për këtë vendim të drejtë dhe të rëndësishëm.

Reagimi i Vjosa Osmanit:

Vjosa Osmani: Republika e Kosovës mirëpret vendimin e Republikës së Kenias për ta njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran, nëpërmjet vendimit të nënshkruar nga Presidenti Ruto të dërguar zyrtarisht pak më parë në Presidencë.

Kjo njohje është një dëshmi e mbështetjes së vazhdueshme për të drejtën e popullit të Kosovës për liri, pavarësi, sovranitet dhe integritet territorial. Njëkohësisht është edhe njohje e vuajtjeve të gjata e sakrificës shekullore të popullit të Kosovës për liri.

Në emër të institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës, shpreh falënderime të sinqerta ndaj presidentit të Kenias, William Ruto, për këtë vendim të drejtë dhe të rëndësishëm, si dhe ndaj institucioneve dhe qytetarëve kenianë që mbështetën këtë hap të madh diplomatik.

Përgjatë këtyre viteve, kam zhvilluar disa takime të rëndësishme me të dhe në të cilat njohja e Kosovës ka qenë temë kryesore e diskutimeve. Presidenti Ruto vazhdimisht siguronte popullin e Kosovës se vendimi për njohje do të merret shpejtë, bazuar në të drejtën ndërkombëtare dhe në sakrificën e gjatë të popullit tonë.

Një mirënjohje e veçantë shkon për të gjithë ata që kontribuuan në këtë proces. Falënderim të veçantë për angazhimin e vazhdueshëm të ish-Presidentit dhe ish-ministrit të punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli.

Kosova vazhdon të ecë përpara në rrugën e saj të integrimit dhe fuqizimit të pozitës së saj ndërkombëtare.

Marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Kenias do të thellohen në fusha të ndryshme,  ndaj presim që shumë shpejt të vendosim marrëdhënie diplomatike, duke ndërtuar një partneritet të fortë dhe afatgjatë në mes dy shteteve dhe popujve tanë.

Ora 16:10
Kenia njohu Pavarësinë e Kosovës, presidenti Begaj: I gëzuar, falenderoj mikun tim Rutto për këtë vendim të shumëpritur nga shqiptarët

Presidenti Bajram Begaj dhe homologu i tij kenian, William Rutto

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, përgëzoi sot Republikën e Kosovës për njohjen si shtet të pavarur e sovran nga Republika e Kenias.

Gjithashtu kreu i shtetit, me anë të një postimi në rrjetin social X, falenderoi homolugun e tij William Rutto, për marrjen e këtij vendimi “të drejtë e të duhur”.

“I gëzuar që Kenia njohu pavarësinë e Republikës së Kosovës sot. I përcjell falenderimet e mia më të përzemërta mikut tim William Rutto për këtë vendim të pritur me gëzim nga shqiptarët”, shkruan presidenti në llogarinë e tij të rrjetit social.

Kenia në Afrikë u bë shteti i 118-të në botë që njohu Pavarësinë e Kosovës. Lajmin e zyrtarizoi politikani Behgjet Pacolli, i cili falënderoi krerët e shtetit shqiptar për ndihmën. Ky vendim vjen 4 vite pasi Izraeli u bë shteti i fundit që e njohu Kosovën.

 

Postimi i presidentit Begaj në llogarinë e tij, në rrjetin social X
Xh.K/Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Gjergji: 26/03/2025 15:30

    Urime Kosove.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A e keni vendosur se për kë do të votoni më 11 maj?