Kronikë

Këputi këmbën në aksident, në pranga djali i ish-drejtuesit të policisë! Eksperti i sigurisë: Postblloqet kanë dalë jashtë loje, duhen kamerat inteligjente

11 Qershor 2021, 16:42| Përditesimi: 11 Qershor 2021, 17:04

  • Share

Aksidente ndodhin çdo ditë në vend. Pavarësisht përmirësimeve të statistikave ndër vite, sërish shqetësimi mbetet evident dhe larg shifrave krahasimore me vendet e Bashkimit Evropian. Ligjet dhe ndryshimet e Kodeve Rrugore nuk po e ulin fenomenin. Ekspertët mendojnë që duhet të marrë fund kontrolli me radar dhe postblloqe policore.

“Deri më sot ne kemi parë patrullat e policisë që dalin nëpër rrugë dhe rrinë prapa kofanos së makinës fshehur. Gjejnë ose skuta, mbrapa një peme, mbrapa një makine. Gjë që nuk më duket normale. Vendet evropiane, të zhvilluara, kanë ikur nga kjo lloj forme e kontrollit të trafikut për të limituar shpejtësinë, ka shkuar drejt disiplinimit, drejt kulturës, për t’a mbajtur në kontroll shpejtësinë”, shprehet eksperti Fatjon Softa.

Por nëse patrullat duhen hequr, ku duhet gjetur zgjidhja? Eksperti i sigurisë, Fatjon Softa, ka një propozim.

“Kontrolli i trafikut mund të bëhet pëmes disa tabelave, të cilat janë tabela digjitale që japin edhe informacion për publikun, ndërsa thonë ul shpejtësinë se ka smog, sepse ka borë, ka shi, po punohet më tutje e me radhë, dhe këta janë të shoqëruara edhe me telekamera. Këto telekamera janë shumë inteligjente, sistem i “ePlate” dhe kanë mundësi që të identifikojnë deri në 35 në 40 makina në sekond”, thotë Softa.

Kjo mënyrë, nuk është vetëm efikase për të pikasur problemet në kohë rekord, por edhe  për të edukuar sjelljen e drejtuesve të mjeteve.

“Kanë një qëllim të caktuar, për të disiplinuar trafikun, për të evidentuar probleme, për të minimizuar dëmet që vijnë si pasojë e aksidenteve, humbje jete, dëmtime materiale, si dhe për kontrollin e sigurisë kombëtare. Flasim për qytetet, porte, aeroporte, sheshe të mëdha e vendet ku ka lëvizje masive”, përfundon Softa.

Praktika e vendosjes së kamerave inteligjente edukon drejtuesin e mjetit, duke ditur se gjithë kohës është i monitoruar. Investimi nuk është i lirë, por ndoshta i vetmi që mund të sjell rezultat në uljen e shifrave të frikshme të aksidenteve dhe humbjeve njerëzore.

Një ditë më parë në Tiranë, për shkak të shpejtësisë, një vajzë mbeti e plagosur.

19-vjeçari Jehon Breçani po lëvizte me automjetin e tij tip “Mercedez Benz”, kur u ngjit në këtë trotuar me shpejtësi të lartë, duke e lënë të plagosur një 23-vjeçare, e cila ndodhej aty në ato momente. Vajza u plagos rëndë, ndërsa ka humbur njërën këmbë.

Xhesina Gega, vetëm 23-vjeçe, as e çoi nëpër mend se do të goditej me makinë nga pas në rrugën për këmbësorë. E reja po nxitonte për shkak të reshjeve të shiut.

Jehon Breçani, 19 vjeç, sapo kishte kaluar rrethrrotullimin në fillim të rrugës “Xhanfize Keko” kur i dha gaz. 100 metra më tutje, kur mjeti fitoi një shpejtësi të konsiderueshme, gjithçka doli nga kontrolli. Benzi që përfundoi në trotuar me shpejtësi skëterr, goditi të renë Xhesina Gega, murin e një biznesi në afërsi dhe në fund këputi në mes një pemë. Gjurmët er aksidentit janë ende në vendin e ngjarjes.

23-vjeçarja Gega për fat të keq ka humbur njërën këmbë. Menjëherë pas ngjarjes, policia shoqëroi Jehon Breçanin, i cili u arrestua pak orë më vonë. I riu, i cili është djali i ish-zv/drejtorit të Policisë së Tiranës, Erzen Breçani, nuk ishte nën e efektin e alkoolit, por ekspertiza paraprake tregoi se ishte tej normave të lejuara në shpejtësi.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?