Ajo është një shqiptare që jeton në Nju Jork e që ka zgjedhur të rrëfejë përmes të shkruarit. Një zgjedhje që duket të jetë shpërblyese për shkrimtaren Ledia Xhoga. Romani i saj i parë, është përfshirë menjëherë, mes pretendentëve për çmimin “Booker Prize” në letërsi.
Por ndërsa fituesi do të shpallet më 10 nëntor, romani i saj, i shkruar në anglisht, do të jetë gati për lexuesit edhe në shqip, që gjatë muajit shtator nën siglën e shtëpisë botuese “Dudaj”.
“Jam shumë e kënaqur dhe e lumtur që Ledia na zgjodhi ne, sepse ishin disa shtëpi botuese shqiptare që e kërkuan librin, të paktën kështu u informova nga agjencia që ka të drejtat e botimit. Jam shumë e kënaqur që libri do të dalë në shtator. Libri është tërësisht shqiptar, është shkruar në anglisht, por flet shumë shqip dhe kjo është gjëja, e cila më tingëllon shumë e bukur dhe joshëse.”, - thotë për “Report TV”, botuesja Arlinda Dudaj.
“Keqkuptimi” ngërthen brenda shumë histori, duke filluar nga ajo e një shqiptari të Kosovës, i cili ka shkuar në SHBA pasi ka përjetuar trauama të tmerrshme nga lufta, si dhe rolin e një përkthyeseje, që ngjan se sjell shumë nga përvoja e vetë autores.
“Është histori interesante dhe plot me të papritura. Është mënyrë shumë interesante dhe e veçantë e të shkruarit të Ledias, sepse ka brenda shumë letërsi por edhe eksploron shumë zhanre.”, - vëren Dudaj.
Xhoga është shkrimtarja e dytë shqiptare që nominohet për "Booker Prize" pas Ismail Kadaresë, i cili e fitoi çmimin, në vitin e themelimin e tij në 2005 dhe u nominuar po ashtu edhe dy herë të tjera, në 2017-n dhe në 2024-n.
“Desha të falënderoj të gjithë publikun shqiptar për të gjitha urimet e ngrohta që kam marrë, meqenëse libri im hyri në listën e Booker. Ishte habi shumë e madhe nga ana ime, pasi nuk e prisja. Romani u botua nga një shtëpi e vogël në SHBA e Londër. Jam shumë e emocionuar. Romani flet për emigracionin, për jetën e një çifti dhe trajton pyetjen sa mund të sakrifikojmë për jetën e tjetrit. Do të botohet nga shtëpia 'Dudaj' në shtator me titull ‘Keqkuptimi”,- thotë Xhoga për “Report TV”.
Me romanin e saj, ajo i shtohet emrave të tjerë të autorëve shqiptarë, të cilët po ashtu kanë shkruar vepra në gjuhë të huaj.
“Po lulëzon shumë letërsia shqiptare e shkruar nga shqiptarë, të cilët jetojnë jashtë, të cilët edhe eksperimentojnë. Shkruajnë me gjuhët e vendeve përkatëse. Kemi Ornela Vorpsin, kemi Lea Ypin, kemi Ermal Metën, kemi Ani Vilms, një tjetër shkrimtare shqiptare. Pra, ka shumë shkrimtarë që shkruajnë në gjuhë të huaja për histori tërësisht shqiptare, por natyrisht lidhen dhe me vendet ku jetojnë.”, thekson botuesja Arlinda Dudaj.
Komente

Mire do ishte qe libri te mos titullohej "Keqkuptimi" por "Keqinterpretimi" sepse historia ka ne qender nje perkthyese dhe termi "interpretim" ne shqip do te thote edhe "perkthim verbal".
Përgjigju