Skena e parë e shfaqjes “Xhelatët” e McDonagh në ArTurbina na zhvendos në vitin 1963, vit kur ekzekutimi i një personi në Mbretërinë e Bashkuar, konsiderohej ende akt human. Pavarësisht protestës së James Hennessey (Hervin Çulit) për pafajësi, ekzekutimi i tij nga Harry (Lulzim Zeqja) ishte i zymtë, aq sa edhe ai vet e konsideron veten xhelat superior krahasuar me ekzekutuesin e tij rival, Albert Pierrepoint-in (Arben Derhemi) e përgjakshëm.
“Harry i jep vetes forcën për të vendosur mbi drejtësinë edhe atëherë nuk ka forcë për ta bërë këtë. Ne këtu kemi akoma njerëz që vazhdojnë që të kenë forcën edhe nga shteti për të vendosur mbi drejtësinë, edhe përse dikur kanë vendosur gabim”, shprehet regjisori Qëndrim Rijani.
Kësaj here në fokus të shfaqjes është drejtësia, ‘dënimi me vdekje’, që lehtas shqiptarëve u kujton edhe të shkuarën e egër të diktaturës komuniste, ku shumë të pafajshëm vuajtën dhunën në burgje, dënimin me vdekje apo edhe burgimin e përjetshëm.
“Është një temë, që vjen edhe më bindshëm me elementet shqiptarë, që Qendrim Rijani është munduar që të përfshijë në kërkimin e logjikës së xhelatëve, sepse edhe këtu dikur ka pas xhelatë. Mendoj se kjo shoqëri duhet që të bëjë katarsis edhe të kërkojë falje, nëse nuk kërkon falje duhet që ta kuptojë atë që ka bërë”, shprehet aktori Arben Derhemi.
Dy vite më pas, ngjarjet na zhvendosin në Veri të Anglisë në një pub. Gjithçka ndodh në këto ambiente që janë në pronësi të ish-xhelatit (Harry Ëade, Lulzim Zeqja) edhe të gruas së tij, Alice (Adelina Muçaj), të cilët kanë edhe një vajzë pesëmbëdhjetëvjeçe (Shirley, Altea Lazaj).
“Kemi dashur të mos sjellim një Alice si është në vepër, por një grua që i përshtatet edhe realitetit shqiptar. Një grua që jeton e ngujuar, që nuk është ai ngujim që njohim, por për hir të rrethanave është e detyruar që të durojë llumin ku jetojë”, shprehet aktorja Adelina Muça.
Të gjithë personazhet e tjerë, që gjenden në këtë pub kanë lidhje me Harry-n. Derisa një i huaj, nga Jugu me emrin Peter Mooney (Florian Agalliu) vjen edhe nxit telashet. Filtrim me bashkëshorten e ish-xhelatit, e më pas filtrim me vajzën e tij, Shirlin, mbi të cilën ka të tjera synime.
Edhe pse kësaj here ligji i dënimit me vdekje është shfuqizuar apo Harry nuk është më në detyrë si xhelat, rrëmbimi i vajzës së tij e shtyn atë që të kryejë edhe një tjetër varje, duke bërë që numri i të ekzekutuarve prej tij të shkojë në 234.
“Nuk është e lehtë që të ndërtosh një karrierë mbi vrasjet, por përfundimi i tij është; kur i rrënohet familja edhe miqtë e lënë, duke mbetur kështu me eshtrat dhe ëndrrat e rrëzuara. Jam përpjekur që të sjell një Harry në mënyrën time”, shprehet aktori Lulzim Zeqja.
Pas kësaj gjithçka e rikthen ish-xhelatin pas, tek vrasja e parë, në fillim të shfaqjes, duke bërë të kuptojmë se 233 vrasjet e raportuara prej tij, rrëfejnë se si drejtësia edhe ndëshkimi ekzistojnë vetëm në kontekst, të cilat janë pa ndryshime të pjesshme, apo të përbëra për një qëllim të hapur.
“Një nga vlerat kryesore të kësaj vepre është dënimi me vdekje, që nuk duhet lejuar, por edhe që, njerëzit të bëjnë kujdes edhe të mos shkaktojnë dhimbje tek shoqëria shqiptare. Këto dhimbje nuk kalohen kaq lehtas, sepse janë gjëra që lënë vragë në trurin e njeriut”, shprehet aktori Sokol Angjeli.
Prandaj, keqpërdorimi i drejtësisë në këtë shfaqje është edhe një ‘mësim’ se si çdo sistem drejtësie duhet që të reflektojë paragjykimet e nënkuptuara të shoqërisë, në të cilën vepron.