Kreshnik Çollaku

Ylli Pata: Keqpërdorimi i fabulës së bashkimit të opozitës

10 Korrik, 09:53| Përditesimi: 10 Korrik, 09:55

  • Share

Një nga më të rinjtë e afruar me grupin e Sali Berishës, Kreshnik Çollaku, deklaroi sot se bashkimi i PD-së duhet të ndodhë me një kongres të përbashkët, ku të shkrihen të gjithë grupimet brenda opozitës.

Fabula e bashkimit, është prej vitesh tema më e përfolur, por edhe argumenti më i keqpërdorur në diskursin real të opozitës shqiptare.

Konstelacioni i politikës shqiptare që rri përballë Partisë Socialiste, që ka marrë edhe emrin e përgjithshëm e “djathta” është në realitet një komunitet mjaft heterogjen, i cili ndër vite ka pësuar një ndryshim aspak cilësor të evolucionit të tij, që megjithatë ka ruajtur një masë homogjene votuesish.

Në Shqipëri ka një masë pak a shumë të qëndrueshme që nuk e voton Partinë Socialiste që nga viti 1991, megjithëse Edi Rama, që kur ka hyrë në politike e më pas në krye të PS-së, vazhdimisht shkëput grupime dhe personazhe të rëndësishëm nga e djathta për ta afruar në konselacionin e socialistëve.

Megjithatë, ky “popull” që elitat e PD-së por edhe gazetarë mbështetës të saj e quajnë në publik “popull opozitar” nuk ka qenë asnjëherë i ngjizur në një kurorë politike të qartë, si pasojë e presionit të fortë të PD-së si parti e madhe për të thithur drejt vetes të gjithë shpirtërat e së djathtës shqiptare.

Vetëm një herë ky “popull” ka qenë i bashkuar fort, duke arritur të marrë drejt vetes qendrën e elektoratit apo ai që quhet “elektorat gri” dhe fituar zgjedhjet me një mazhorancë superabsolute.

Bëhet fjalë për 22 marsin 1992. Mirëpo me monopolizimin e pushtetit nga Sali Berisha, shpirtrat e së djathtës shqiptare u shpërmoqën pak nga pak. Që do të thitë grupet e interesit, personazhet e rëndësishëm influentë, e intelektualët që peshojnë rëndë, u dezintegruan nga PD-ja e më pas nga grupet e tjera të së djathtës.

Dikur ky komunitet politik përbëhej nga PD-ja si parti e organizuar, e djathta tradicionale; ku hyjnë Balli Kombëtar e Legaliteti, pra nacionalistët tradicionalë, Partia Republikane e Sabri Godos, si dhe grupe të tjerë interesi si ish-të përndjekurit politikë apo ish-pronarët etj etj. Ndërkaq edhe brenda PD-së kishte grupime të ndryshme interesi, të cilët kishin pika takimi me pjesët e tjera të së djathtës.

Në vitin 2005, Sali Berisha, që llogariti me kujdes rikthimin në pushtet, përthithi me anë të një skeme që elektoralisht njihet si ”Megadushku”, pjesë të rëndësishme të partive të vogla, duke nisur nga Partia Republikane, por edhe partitë e tjera të së djathtës. Nacionalistët tradicionalë dalë ngadalë e humbën autonominë dhe u ngjizën në zona të ndryshme të politikës.

Qënia thjesht si emër e subjekteve me emër Balli e Legaliteti janë kthyer tashmë në një parodi kujtimgjuziste pa peshë e relevancë politike.

Pas vitit 2009, Ilir Meta, i cili arriti të bëhej kingmakeri i Sali Berishës në mandatin e dytë, synoi dhe realizoi të marrë një copë të madhe të këtij elektorati për LSI-në në zgjedhjet e 2013-s dhe 2017-s. Por ky operacion, edhe pse ishte politik nuk kishte të bënte fare me një lëvizje politike. Kjo lëvizje ishte e panatyrshme dhe më shumë një Pazar sesa një përthithje politike. Pasi askush nga këto grupe interesi që ju afruan Metës për arsye pragmatike nuk u integruan në LSI.

Dhe ishte mjaft e pritshme që kjo fetë elektorati do të rikthehej në shtëpi siç ndodhi në zgjedhjet e 25 prillit 2021. Ku Lulzim Basha mori rezultatin më të mirë historik që ka marrë Partia Demokratike pas vitit 2009. Edhe pse një humbje elektorale, ai rezultat ishte një pikë e madhe nisjeje për një të djathtë të re në Shqipëri.

Por për faj të vetë Lulzim Bashës, që nuk nisi menjëherë diskutimet për integrimin në PD të kësaj pjese të papërfaqësuar që u kthye në shtëpi, por mbi të gjitha për faj të Sali Berishës, që i dha dërrmën Partisë Demokratike pas shpalljes së tij Non Grata nga SHBA, opozita u nda keqas.

Struktura e Partisë Demokratike që i dha opozitës rezultatin shumë të rëndësishëm të 25 prillit 2021, u luftua egërsisht nga Berisha, për të marrë në duart e veta të gjithë bazën organizative të PD.

Kjo luftë e vërtetë, i ka pasur të gjitha llojet e mjeteve; që nga ato mesjetaret si leva, qysqia apo dashi, që i pamë më 8 janar 2022, por edhe shantazhi, sulmet, apo blerjet me para në dorë.

Berisha ofroi një grup të përjashtuar nga drejtimi i strukturave për t’i përdorur si këmbësori për të luftuar strukturat e 2021-shit.

Kjo betejë e egër solli ndarjen aktuale në opozitë; pjesa me Berishën dhe pjesa që është kundër Berishës. Tashmë kjo është ndarje faktike, pavarësisht sa njerëz ka njëra palë e sa tjetra. Në fund fuqia e një grupimi politik shikohet se sa është e aftë të nxjerrë elektoratin e saj të votojë në zgjedhje.

Në balotazhin e zgjedhjeve parlamentare në Francë, Emanuel Macron arriti të mobilizojë, duke përdorur frikën nga e djathta ekstreme, të një numri të madh elektorati që të dalë në votime. Ku ndodhi humbja fatale e Marie Le Pen.

Në balotazhin francez, kishte një pjesëmarrje shumë më të lartë se në raundin e parë. Çka tregon se si Makron, ashtu edhe e majta e bashkuar, arritën të mobilizojnë zgjedhësit e tyre.

Ndërkaq, në zgjedhjet e fundit të 14 majit 2023, Sali Berisha me Ilir Metën, të cilët u paraqitën në një subjekt të përbashkët elektoral, jo vetëm që nuk mobilizuan votuesit opozitar që të dalin në votime, por në mjaft vende, si Shkodër, Tropojë, Kukës etj, këta votues zgjodhën kandidatët e PS-së.

Lulzim Basha, apo krahu antiberishjan i opozitës nuk u la dhunshëm të marrë pjesë me kandidatët e tyre, pas një puçi të pastër të numrit dy të PS-së, Gazment Bardhi. 100 mijë votat e marrë për këshilltarët janë një e dhënë, por jo e qartë për peshën dhe relevancën e kësaj pjese politike.

Që të bashkohet e gjithë e djathta, do të duhet rithemeluar nga e para, me anë të një operacioni të komplikuar, e procesi të gjatë, por natyrisht pa Sali Berishën, e ndoshta edhe pa Lulzim Bashën. Por i pari tashmë është totalisht i panegocueshëm nga pjesa që ka përballë. Këtë në fakt e dinë të gjithë ata që dalin në televizione e mbrojnë doktorin, apo deputetët që janë bashkuar për të rikandiduar sepse nuk i qasin strukturatr e vitit 2021.

Tjetër është se nuk e thonë. Çdo bashkim tjetër është jo vetmë një iluzion, por më shumë një hi syve për votuesit e opozitës, të cilët kanë folur aq qartë më 25 prill 2021 dhe 14 maj 2023, por thjesht nuk ua lexon askush votën e tyre.../ Tema

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    E kujt është përgjegjësia për kaosin në Kuvend?