Gjykata e Lartë

Kërcënimet e magjistratëve, Gjykata e Lartë: Të zbardhen ngjarjet dhe të vihen para përgjegjësisë përgjegjësit

6 Tetor 2023, 16:11| Përditesimi: 6 Tetor 2023, 16:23

  • Share

Gjykata e Lartë ka reaguar për kërcënimet e magjistratëve nga eksponentët e krimit. Në njoftimin për media, Gjykata e Lartë shprehet se mbështet organet ligjzbatuese të cilat kanë garantuar mbrojtjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Mes zbardhjeve të shumë ngjarjeve kriminale, Artan Tafani rrëfeu për planin e grupit të Laert Haxhiut për eliminimin e prokurores së SPAK, Doloreza Musabelliu dhe prokurores së shkarkuar në vetting të Lushnjës, Merita Selimi. Report TV ka mësuar se vitet e fundit, janë gjashtë prokurorë të pajisur me mbrojtje të posaçme për shkak të kërcënimeve që kanë marrë gjatë ushtrimit të detyrës. 

‘Gjyqtarët e Gjykatës së Lartë përcjellin me shqetësim të gjitha referimet për kërcënime të magjistratëve për shkak të ushtrimit të detyrës së tyre.

Qëllimi i sistemit të drejtësisë është të kryejë në mënyrë funksionale dhe parimore detyrën e tij, dhe për këtë arsye duhet të jetë i mbrojtur dhe i garantuar nga çdo lloj presioni, ndërhyrje, pengimi, kufizimi, nga cilido drejtim që mund të vijë, pasi ato cenojnë rëndë funksionimin e tij, por edhe lëkundin besimin e publikut tek drejtësia. Presionet apo kërcënimet e çfarëdolloji ndaj magjistratëve përbëjnë shqetësim serioz jo vetëm për ta, por për të gjithë shoqërinë shqiptare, e cila është e interesuar për mbrojtjen e të drejtave dhe sigurinë e jetës së çdo individi, si dhe funksionimin normal të shtetit të së drejtës.

Gjyqtarët e Gjykatës së Lartë mirëpresin zbatimin me korrektësi dhe përgjegjshmëri të dispozitave ligjore për mbrojtjen dhe garantimin e jetës, shëndetit dhe integritetit të magjistratëve. Opinioni publik dhe organet kompetente duhet ta kenë të qartë se, gjykatat dhe prokuroritë janë institucione në shërbim të qytetarëve dhe të shoqërisë dhe se çdo tentativë për cenim të integritetit fizik e moral të tyre, ndikon drejtpërdrejtë në pavarësinë e sistemit në përgjithësi dhe atë individuale, të magjistratit në veçanti.

Me besimin se kolegët magjistratë do të vijojnë të kryejnë me vendosmëri dhe përgjegjshmëri detyrën e tyre sublime, njëkohësisht mbështesim organet ligj zbatuese në marrjen e masave të menjëhershme ligjore, institucionale, organizative e materiale, jo vetëm për zbardhjen e çdo ngjarje dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të fajtorëve, por edhe zbatimin e dispozitave ligjore, duke garantuar mbrojtje efektive për parandalimin e sjelljeve të kundërligjshme.

Ftojmë median dhe qytetarët shqiptarë të denoncojnë çdo akt antiligjor në dëm të drejtësisë dhe magjistratëve. Gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, duke qenë në përmbushje të funksionit dhe misionit për të cilin janë ngarkuar, shprehin angazhimin maksimal për të kontribuuar në mbrojtjen e vlerave më të larta shoqërore dhe demokratike, që garantojnë vetë shtetin e së drejtës dhe zhvillimin e shoqërisë shqiptare. Ne jemi dhe do të jemi përherë në pozicionin tonë kushtetues për të përmbushur detyrën dhe për t’i shërbyer shtetit dhe shoqërisë.’- thuhet në vendimin e Gjykatës.

 Një reagim për prokurorët dhe gjyqtarët e kërcënuar nga bota e krimit e ka bërë edhe KLGJ.

Në njoftim, Këshilli i Lartë Gjyqësor, dënon çdo përpjekje për të kërcënuar apo për të cenuar magjistratët.

‘Këshilli i Lartë Gjyqësor, pasi ka ndjekur me vëmendje kërcënimet e adresuara ditët e fundit ndaj funksionarëve të sistemit të drejtësisë, është plotësisht i angazhuar për të mbështetur në mënyrë të palëkundur, çdo gjyqtar e prokuror, i cili me përkushtim, profesionalizëm, integritet dhe përgjegjësi të lartë, punon çdo ditë dhe më shumë, për të bërë vendin të sigurt për ne dhe brezat që do të vijnë pas.

Në një shoqëri demokratike, gjyqtarët dhe prokurorët janë garantues të drejtësisë dhe barazisë para ligjit dhe si të tillë, ata duhet të ushtrojnë funksionet e tyre në mënyrë të paanshme, të pavarur dhe profesionale për të merituar besimin e publikut. Për këtë arsye të gjithë së bashku, për të garantuar pavarësinë e pushtetit gjyqësor, duhet të ndalim çdo sulm apo veprim që synon të cenojë së pari jetën, integritetin, sigurinë dhe paprekshmërinë e magjistratëve.

Këshilli i Lartë Gjyqësor bashkohet me aktorë të tjerë dhe njëzëri, dënon çdo përpjekje për të kërcënuar, kufizuar, apo ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, gjyqtarët dhe prokurorët në përmbushjen e detyrave të tyre kushtetuese dhe ligjore. Çdo përpjekje e tillë është një kërcënim serioz për shtetin e së drejtës dhe demokracinë në vend, pasi minon përpjekjet tona të përbashkëta drejt integrimit europian.’- thuhet në njoftimin e KLGJ.

Ishte dëshmia e të penduarit të drejtësisë Artan Tafani, ajo që ngriti në këmbë institucionet kryesore të drejtësisë dhe sigurisë në vend. Përveç Doloresa Musabelliut nga SPAK dhe prokurores së shkarkuar nga KPK në Lushnje, Merita Selimi, të cilat sipas Artan Tafanit ishin objektiv i Laert Haxhisë, “Report TV” ka mësuar se vitet e fundit, janë gjashtë prokurorë të pajisur me mbrojtje të posaçme për shkak të kërcënimeve që kanë marrë gjatë ushtrimit të detyrës.

Në mbrojte janë edhe prokurorët e Elbasanit Kreshnik Ajazi dhe Ritvan Sukaj, për shkak të hetimit të dosjes së vrasjeve në Elbasan dhe dënimeve me burg përjetë të anëtarëve të fisit Çapja. Mbrojtje ka marrë edhe prokurori i Vlorës Albert Kuliçi, të cilit në vitin 2019 iu vendos tritol në makinë ndërsa po hetonte disa nga ngjarjet më të rënda në qytet. Një tjetër prokuror në mbrojtje është Arjan Muça, aktualisht me detyrë në KLP, i cili në vitin 2021 gjeti një sasi eksplozivi të vendosur pranë automjetit të parkuar në zonën e komunës së Parisit në kryeqytet. Në radhët e gjyqtarëve të posaçëm, në mbrojtje është Etleva Deda, për shkak të vendimmarrjes në disa prej çështjeve që ka shqyrtuar vitet e fundit.

G.MO/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?