TIRANË- Rrjeti SafeJournalists ka reaguar pas kërcënimeve që gazetari i Report Tv, Piro Nase mori nga shefi i Krimeve në Përmet, Dhurim Çenko. Në një deklaratë për mediat, Rrjeti SafeJournalists thekson se kërcënimet ndaj gazetarëve janë të papranueshme. Madje, Rrjeti SafeJournalists shton se kërcënimet bëhen edhe më shqetësuese kur personat kanë lidhje me strukturat e rendit, pasi policia është ajo që ka përdetyrë të mbrojë qytetarët, përfshirë këtu edhe gazetarët.
“Kërcënimet janë të papranueshme, veçanërisht kur drejtohen ndaj gazetarëve për kryerjen e detyrës së tyre ndaj interesit publik. Ato bëhen edhe më shqetësuese kur personat e dyshuar kanë lidhje me strukturat e rendit, pasi policia ka për detyrë të mbrojë qytetarët, përfshirë gazetarët. Në komunitetet e vogla lokale, ku lidhjet shoqërore janë më të ngushta dhe presionet më të forta, raportimi mbi çështje të ndjeshme si rastet e abuzimit seksual ndaj të miturve apo roli i autorëve të dyshuar kërkon guxim dhe një nivel të lartë përgjegjësie profesionale. Gazetarët kanë detyrimin të raportojnë për këto çështje në mënyrë etike dhe me kujdes”, thuhet në deklaratë.
Rrjeti SafeJournalists i bën thirrje autoriteteve të sigurojnë që hetimet të zhvillohen në mënyrë të plotë dhe të shpejtë, si dhe të merren masa për të garantuar sigurinë e Piro Nases dhe familjes së tij.
Kërcënimi ndaj gazetarit, Piro Nase erdhi pasi raportoi se Çenko ishte pezulluar nga detyra për shkelje të rëndë disiplinore dhe se kishte nisur një hetim disiplinor për të, pasi kishte dijeni për abuzimin e së miturës nga njerku polic dhe kolegu i tij, por nuk kishte marrë asnjë masë. Policia shoqëroi djalin e Dhurim Çenkos, Boris Çenko dhe u vu nën hetim në gjendje të lirë. Por kërcënimet nuk u ndalën, pasi gazetrit iu këcënua edhe familja, përmes një telefonate ndaj vajzës së mitur.
Deklarata e plotë e Rrjetit SafeJournalists
Rrjeti SafeJournalists shpreh shqetësim për kërcënimet e drejtuara ndaj gazetarit Piro Nase, korrespondent lokal i Report TV në Gjirokastër, në jug të Shqipërisë.
Sipas deklaratave të Nases, më 1 tetor 2025, pas raportimit të tij mbi pezullimin e Shefit të Krimeve të Policisë në Përmet, një qytet në jug të vendit, ai ka marrë telefonata kërcënuese nga persona që dyshohet të jenë të afërm të zyrtarit të pezulluar. Më tej u raportua se kërcënimet janë shtrirë edhe ndaj vajzës së tij të mitur, dhe se Nase ka paraqitur dy denoncime pranë policisë lokale.
Sipas Policisë së Shtetit, në të dyja rastet, si në atë që lidhet me Nase ashtu edhe në atë që përfshin vajzën e tij të mitur, janë identifikuar të dyshuar dhe materialet i janë referuar Prokurorisë, me kualifikimin ligjor të përcaktuar si “fyerje”.
Rrjeti SafeJournalists mirëpret reagimin e menjëhershëm të policisë, por vëren me shqetësim se rasti përfshin kërcënime ndaj një gazetari dhe familjes së tij dhe duhet të kualifikohet ligjërisht në një mënyrë që pasqyron rëndësinë dhe seriozitetin e situatës, dhe jo të kufizohet vetëm në “fyerje”.
Kërcënimet janë të papranueshme, veçanërisht kur drejtohen ndaj gazetarëve për kryerjen e detyrës së tyre ndaj interesit publik. Ato bëhen edhe më shqetësuese kur personat e dyshuar kanë lidhje me strukturat e rendit, pasi policia ka për detyrë të mbrojë qytetarët, përfshirë gazetarët. Në komunitetet e vogla lokale, ku lidhjet shoqërore janë më të ngushta dhe presionet më të forta, raportimi mbi çështje të ndjeshme si rastet e abuzimit seksual ndaj të miturve apo roli i autorëve të dyshuar kërkon guxim dhe një nivel të lartë përgjegjësie profesionale. Gazetarët kanë detyrimin të raportojnë për këto çështje në mënyrë etike dhe me kujdes.
Rrjeti SafeJournalists u bën thirrje autoriteteve shqiptare të sigurojnë që hetimet në vijim të zhvillohen në mënyrë të plotë dhe të shpejtë, si dhe të merren masa efektive për të garantuar sigurinë e Piro Nases dhe familjes së tij.
Ne qëndrojmë në solidaritet me të gjithë gazetarët në Shqipëri, të cilët, pavarësisht kushteve të vështira të punës dhe sfidave të të punuarit nën presion, e kryejnë detyrën e tyre me integritet dhe përgjegjësi për të garantuar që qytetarët të kenë akses në informacion të besueshëm.
Çdo sulm ndaj gazetarëve është një sulm ndaj demokracisë, interesit publik dhe të drejtave themelore të njeriut.
Komente
