Foto ilustruese

Kosova & Rajoni

Kërcënimi i fshehur i spiunazhit: Përpjekje për ta bërë Kosovën "jofunksionale"

13 Mars, 12:56| Përditesimi: 13 Mars, 12:59

  • Share

Spiunazhi është një kërcënim serioz për sigurinë e Kosovës dhe arrestimet e fundit vetëm se nxjerrin në pah rrezikun e vazhdueshëm, thonë ekspertët. Sipas tyre, ky aktivitet jo vetëm që destabilizon vendin brendapërbrenda, por dëmton edhe pozitën e tij ndërkombëtare. Institucionet, në anën tjetër, janë kryesisht të heshtura për përmasat e problemit.

Ish-kryeinspektori i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI), Burim Ramadani, e konsideron spiunazhin si një prej kërcënimeve kryesore të sigurisë kombëtare në vend.

Arrestimet e fundit, por edhe procedurat e tjera penale kundër disa të dyshuarve tregojnë, sipas tij, se sa e cenueshme është Kosova ndaj aktiviteteve të tilla të inteligjencës së huaj.

“Dëmet që synohen të shkaktohen, janë ato që e nxjerrin Kosovën keq jashtë dhe e vendosin atë nën tension përbrenda”, thotë Ramadani për Radion Evropa e Lirë.

Më 28 shkurt të këtij viti, nën dyshimet për spiunazh u arrestua Jellena Gjukanoviq nga komuniteti serb në veri të Kosovës. Punonjëses së Misionit të OSBE-së në Prishtinë iu shqiptua masa e paraburgimit prej 30 ditësh, më 2 mars.

Disa media shkruan se ajo ishte spiune e Agjencisë serbe të Zbulimit - BIA, por, përkundër përpjekjeve, Radio Evropa e Lirë nuk arriti t’i konfirmonte në mënyrë të pavarur këto raportime.

REL-i mësoi përmes prokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës, Bekim Kodraliu, se provat nga një rast tjetër, e inkriminuan edhe Gjukanoviqin.

Kodraliu tha se nuk mund të japë më shumë detaje, për shkak të hetimeve që vazhdojnë, por theksoi se rasti është duke u trajtuar si “i ndjeshëm”.

Tri ditë pasi që gjykata ia shqiptoi masën e paraburgimit Gjukanoviqit, ishte planifikuar të mbahej seanca fillestare për dy të dyshuar të tjerë për spiunazh, Bedri Shabanin dhe Muharrem Qerimin, por ajo u shty për 17 mars.

Të dy ata akuzohen se kanë ndarë informacione dhe materiale të ndryshme me BIA-n./REL 

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Zgjedhjet e 11 majit, cila listë e kandidatëve iu bind më shumë?