Kërcënimi i presidentit rus Vladimir Putin për të furnizuar Korenë e Veriut me armë dhe paralajmërimi i tij se do të “destabilizonte” gadishullin Korean, është parë si shqetësim nga SHBA-ja.
“Në varësi të llojit të armëve të ofruara, një veprim i tillë mund të shkelë rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të cilat Rusia i mbështeti vetë. SHBA-ja do të vazhdojë të punojë me aleatët e saj në rajon, duke përfshirë Korenë e Jugut dhe Japoninë, për t’iu përgjigjur kërcënimit të paraqitur nga Koreja e Veriut”, tha dje në mbrëmje (20 qershor) zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA, Matthew Miller.
Putin nënshkroi një marrëveshje partneriteti me liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un, që përfshin një zotim për ndihmë të ndërsjellë nëse ndonjë vend sulmohet, gjatë vizitës shtetërore në Phenian.
Duke folur në Vietnam, Putini kërcënoi se do t’i dorëzonte Koresë së Veriut armë me precizion të lartë si përgjigje ndaj dërgesave të armëve perëndimore në Ukrainë.
Nga ana tjetër, Qeveria e Koresë së Jugut shprehu shqetësim për partneritetin strategjik Rusi-Kore e Veriut.
Seuli tha se angazhimet e sigurisë shkelnin sanksionet e OKB-së të vendosura ndaj Phenianit. Koreja e Jugut sugjeroi gjithashtu se mund të rishqyrtojë politikën e saj të gjatë për të mos furnizuar me armë Kievit.
Putini tha se Koreja e Jugut do të bënte një “gabim të madh” nëse furnizonte me armë Ukrainën.
“Nëse kjo ndodh, atëherë ne do të marrim vendime përkatëse që nuk do të kënaqin udhëheqjen aktuale të Koresë së Jugut”, tha Putin.