Kërcënohen me vdekje 2 aktiviste të LGBT dhe bebet e tyre! Xheni Karaj: Mungesa e seriozitetit nga institucionet, ka frymëzuar dhunuesit ndaj nesh

18 Shkurt, 09:35| Përditesimi: 18 Shkurt, 17:32

  • Share

TIRANË- Dy aktiviste të komunitetit LGBT, Alba Ahmetaj dhe Edlira Mara janë kërcënuar me jetë nëpërmjet mesazheve në rrjetet sociale. Një person i panjohur më datën 10 shkurt rreth orës 12:00 të paradites, u ka dërguar mesazhe kërcënuese të dyja aktivisteve.

“Kur të vini ju te pedonalja prap si sot ne do jemi me sniper nga terraca tjua fusim ne lule te ballit do dilni ju per kafeee’’- shkruhej në mesazhin kërcënues.

Ndërkaq aktivistet konfirmojnë se gjatë asaj dite, kanë qenë të ulura për të pirë kafe në zonën e njohur si ‘’Pedonalja’’ në Tiranë. Ahmetaj dhe Mara janë partnere që bashkëjetojnë me njëra tjetrën dhe kanë dy fëmijë. Ngjarja u është referuar autoriteteve, ndërkohë organizata PRO LGBT, bën thirrje për zbardhjen e saj.

Pas ngjarjes ka reaguar edhe aktivistja, njëkohësisht drejtuesja e Aleancës LGBT, Xheni Karaj e cila shkruan se mungesa e seriozitetit për të dënuar krime të tilla ndaj personave LGBTI ka frymëzuar dhunuesit që t’u shkaktojnë atyre frikë dhe pasiguri për jetën.

“Mungesa  ndër vite e seriozitet të institucioneve të drejtësisë për të hetuar dhe dënuar krimet e urrejtjes ndaj personave LGBTI, ka frymëzuar dhe nxitur dhunuesit që të dhunojnë sistematikisht personat e komunitetit LGBTI pa hasur asnjë pasojë ligjore.  Andaj dhe ky kriminel i rradhës guxon të kërcënojë dy nëna dhe fëmijët e tyre 3 vjeçe duke i shkaktuar frikë, ankth dhe pasiguri për jetën e tyre dhe vajzave”- shkruan Xheni Karaj ndër të tjera.

B.V//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?