Gjin Gjoni dhe foto nga momenti i kërcënimit të babait të kandidates së PS

Kronikë

Kërcënoi babain e kandidates së PS-së në Lezhë / Prokuroria vendos ta hetojë në gjendje të lirë! 27-vjeçari pjesë e strukturave për mbrojtjen e votës së Gjin Gjonit

18 Maj, 15:32| Përditesimi: 18 Maj, 17:44

  • Share

Policia e Lezhës ka njoftuar ditën e sotme se ka lokalizuar dhe ka ndaluar 27-vjeçarin Xhejson Seferaj, një nga autorët e dyshuar, i shpallur në kërkim për ngjarjen e ndodhur në datën 5 maj në Lezhë, ku kanë kërcënuar babanë e kandidates për deputete Klotilda Ndreca dhe kreun e PS në Lezhë, Emirjan Lazri.

Sipas njoftimit të policisë, Seferaj, autor i kërcënimit me armë zjarri në Dajç të Lezhës, do të hetohet në gjendje të lirë pas konsultimit me prokurorin.

Materialet procedurale në ngarkim të 27-vjeçarit i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë për hetime të mëtejshme.

Njoftimi i policisë

“Në vijim të komunikatës së datës 05.05.2025, ku është shpallur në kërkim shtetasi Xh. S., 27 vjeç, si një nga autorët e dyshuar për veprat penale “Kanosja apo dhunimi i pjesëmarrësve në zgjedhje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, ju informojmë se: Më datë 18.05.2025, nga Forcat e Posaçme Shqiponja në DVP Lezhë, u bë e mundur lokalizimi dhe kapja e shtetasit të shpallur në kërkim policor, Xh. S., 27 vjeç, banues në Lezhë. Në përfundim të veprimeve  dhe pas konsultimit me Prokurorin, ky shtetas do ndiqet në gjendje të lirë. Materialet procedurale në ngarkim të këtij shtetasi i kaluan  Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë,  për hetime të mëtejshme.”

Seferaj ishte një nga dy autorët e shpallur në kërkim për ngjarjen e ndodhur. Sipas policisë, autori tjetër i dyshuar që e shoqëronte ka qenë Ilirjan Gjoka, 40 vjeç.
Të dy autorët kanë qenë të dyshuar për veprat penale “Kanosja apo dhunimi i pjesëmarrësve në zgjedhje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Denoncimi për ngjarjen fillimisht u bë nga kandidati për deputet i PS për qarkun Lezhë në listën e sigurt, Ermal Pacaj, i cili akuzoi demokratët me në krye kandidatin e PD-së në Lezhë, Gjin Gjoni, ish-gjyqtar i përjashtuar nga Vetingu. Pacaj tha se struktura e mbrojtjes së votës së PD-së, përmes njerëzve të armatosur, kërcënuan babanë e kandidates për deputete Klotilda Ndreca dhe kreun e PS në Lezhë, Emirjan Lazri.

Edhe në zgjedhjet e 11 majit, demokratët rikthyen të njëjtën strukturë për mbrojtjen e votës si në 2021. Një skemë e paligjshme e cila çoi edhe në viktima në fushatën e atij viti, në Elbasan, ku mbeti i vrarë simpatizanti Pjerin Xhuvani (vetëm 4 ditë para votimeve).
Kjo skemë e paligjshme, e rikthyer sërish në këto zgjedhje nga demokratët në qarqet e vendit, mesa duket nuk ndikoi aspak për mirë, pasi rezultati i 11 majit tregoi një humbje të thellë për ta.

Kandidati i Sali Berishës në Lezhë, ish-gjyqtari i shumëpërfolur Gjin Gjoni, publikoi në rrjetet sociale gjatë fushatës edhe një video të shoqëruar me shkrimin se “grupet për mbrojtjen e votës në ndjekje të njerëzve që dalin natën për qëllime të mbrapshta elektorale. Ne jemi kudo. Do t’iu ndjekim këmba-këmbës.”

H.K/K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Samiti europian, besoni se do forcojë rolin ndërkombëtar të Shqipërisë?