Gjirokastër-Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka deklaruar se pezullimi nga detyra për shefin e Krimeve në Përmet, Dhurim Çenko, është bërë me urdhër të Prokurorisë së Gjirokastrës.
Durim Çenko, akuzohet për shpërdorim detyre dhe ndaj tij kishte nisur një hetim disiplinor, pasi kishte dijeni për abuzimin e së miturës nga njerku polic P.B dhe kolegu i tij, Artur Ago dhe Çenko nuk kishte marrë asnjë masë.
Rasti u raportua nga gazetari i Report Tv Piro Nase, i cili edhe u kërcënua nga familjarët e shefit të Krimeve në Përmet, Dhurim Çenko pas raportimit se ai ishte në dijeni të abuzimit të 16-vjeçares nga njerku polic dhe kolegu i tij.
Njoftimi i plotë:
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Vlorë - Gjirokastër) ka ekzekutuar urdhrin e Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, e cila ka caktuar masën e sigurisë të karakterit ndalues “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” për punonjësin e policisë N/Komisar Dhurim Çenko, me detyrë (në kohën e kryerjes së veprës penale) Shef Seksioni në Seksionin për Hetimin e Krimeve në Volum, në Komisariatin e Policisë Përmet.
Ai dyshohet për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës”. Ekzekutimi i urdhrit u bë në vijim të hetimeve të thelluara lidhur me procedimin penal të vitit 2025, ku gjatë marrjes së deklarimeve dhe veprimeve të tjera hetimore ka dyshime të arsyeshme për shkelje nga ana e oficerit të Policisë. Vijon puna për zbardhjen e plotë të rrethana dhe përfshirjen e mundshme të personave të tjerë në këtë veprimtari kriminale. AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të strukturave.
Më 1 tetor në polici, u shoqërua djali i Dhurim Çenkos, Boris Çenko dhe u vu nën hetim në gjendje të lirë. Por pas kësaj ngjarjeje, gazetari mori sërish kërcënime, kësaj here përmes vajzës së mitur. Lidhur me këtë ngjarje reagoi edhe Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë, duke kërkuar reagimin e menjëhershëm të organeve ligjzbatuese dhe vendosjen para përgjegjësisë së autorëve.
Komente
