Dy të akuzuarit për kanosje ndaj kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, janë deklaruar të pafajshëm gjatë seancës fillestare të mbajtur në Gjykatën Themelore në Prishtinë më 3 shtator.
I pranishëm në gjykatë ishte edhe Kurti, në cilësinë e të dëmtuarit, i cili tha se nuk paraqet kërkesë pasurore juridike, raporton Betimi për Drejtësi.
Faton Klinaku dhe Nuredin Selmani u deklaruan rreth fajësisë, pasi prokurori Bekim Kodraliu lexoi aktakuzën.
“Konsideroj se nuk ka vepër penale dhe nuk bëhet fjalë për kurrfarë kanosje dhe nuk e pranoj”, tha Klinaku.
Ndërkaq, i akuzuari tjetër, Nuredin Selmani po ashtu i deklarua i pafajshëm.
“Jo, nuk i pranoj” akuzat, tha ai.
Pas kësaj, gjykatësi Rrahman Beqiri njoftoi mbrojtësit e të akuzuarve se brenda 30 ditësh mund të paraqesin kundërshtim të provave.
Më 1 gusht, Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi për ngritjen e aktakuzës ndaj Klinakut dhe të pandehurit tjetër, Selmani.
Prokuroria ka thënë se ata dyshohet se më 2023 kishin publikuar në llogaritë e tyre në Facebook shkrime me përmbajtje kërcënuese ndaj Kurtit.
Pas publikimit të lajmit për aktakuzën, Klinaku, nga Organizata e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shkroi në Facebook se “mezi pret” që të ballafaqohet me Kurtin në gjykatë.
Prokuroria Speciale e Kosovës tha se më 30 gusht të vitit 2023, Klinaku, e kishte përsëritur një postim me përmbajtje kërcënuese ndaj Kurtit ku thuhej: “... Prapë po e përsëris, nëse ju duket skandaloz postimi i mëhershëm: Më parë e vras A.K. sesa t’ia lëshoj rrugën dhe të iki nga Kosova".
Ndërkaq, Nuredin Selmani, sipas Prokurorisë Speciale, e ka kanosur me vrasje Kurtin përmes postimeve të bëra në Facebook, për shkak të funksionit të tij si kryeministër, duke iu referuar postimit kërcënues të Klinakut.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, kushdo që synon që përmes dhunës apo kanosjes të pengojë përfaqësuesit e lartë të Kosovës të kryejnë detyrat e tyre mund të dënohet nga 3 deri në 10 vjet burgim./ REL
Komente
