Kërkesa e SPAK për arrestimin e Ahmetajt, hapat që priten! Nga ‘tryeza’ e Nikollës te seanca plenare, ç’ndodh me ish-zv.kryeministrin?

10 Korrik 2023, 13:37| Përditesimi: 10 Korrik 2023, 19:18

  • Share

Në Partinë Socialiste e kanë të qartë vendimmarrjen mbi kërkesën e SPAK për arrestimin e ish zv. Kryeministrit Arben Ahmetaj, i cili aktualisht gëzon privilegjet e deputetit. 

Burime për Report Tv konfirmuan se në mbledhjen e ligjvënësve socialistë është konfirmuar qëndrimi se mazhoranca nuk do të bëhet mburojë dhe kësisoj nuk do të pengojë kërkesën e SPAK për ta çuar në qeli Ahmetajn.

Por çfarë pritet që të ndodhë deri në vendimin e fundit në Kuvend tani që kërkesa e Prokurorisë e Posaçme ndodhet në tryezën e Lindita Nikollës. Neni 73 i Kushtetutës së Shqipërisë dhe neni 118 i Rregullores së Kuvendit hapat i kanë të qarta.

Kërkesa me firmën e drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme dhe dokumentet i kanë kaluar menjëherë për shqyrtim Këshillit për Rregulloren, Imunitetin dhe Mandatet, i cili me urdhër të Nikollës do të mblidhet këtë të martë në orën 16:00. Përmes Gazment Bardhit Partia Demokratike kërkoi mbledhjen brenda të hënës.

Ndërsa Ahmetaj pritet të vihet në dijeni pasi dhe ai ka të drejtën për t’u mbrojtur.

Në përfundim të shqyrtimit, Këshilli, brenda 2 javëve harton një raport për në seancë plenare, në të cilin rekomandon rrëzimin ose miratimin e dhënies së autorizimit për arrestimin.  Raporti i Këshillit u shpërndahet deputetëve.

Më pas çështja i kalon seancës plenare. Ashtu siç e detyron Kushtetuta Kuvendi vendos me votim të hapur për dhënien ose mosdhënien e autorizimit. Edhe pse votimi duhet i hapur, diskutimi mund të bëhet me dyer të mbyllura, për arsye të mbrojtjes së të dhënave nëse kjo konsiderohet e domosdoshme.

Rregullorja e Kuvendit parashikon edhe rastin kur Kuvendi nuk merr vendim për kërkesën për arsye të ndryshme, atëherë brenda 3 muajve nga data e paraqitjes së kërkesës, kjo e fundit konsiderohet e rrëzuar.

Kujtojmë se për raste të ngjashme, kryeministri Rama është shprehur publikisht se PS nuk bëhet avokate e asnjë zyrtari të lartë rreshtuar krahë saj. Ndaj edhe procedurat e mësipërme pritet të jenë më të shkurtra seç kanë parashikimet maksimale. Dhe sipas gjasave kërkesa do të futet në rendin e ditës se seancës plenare të ditës së enjte, 13 Korrik.

Neni 118 i rregullores së Kuvendit
Neni 73 i Kushtetutes së Shqipërisë

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?