Kërkesat e artistëve ndër vite për teatër të ri, regjisori Kame tregon takimet me Berishën, Nanon dhe Ramën

20 Maj 2020, 21:14| Përditesimi: 20 Maj 2020, 21:22

  • Share

“Nevoja për ndërtimin e një teatri të ri ka qenë një kërkesë e hershme e aktorëve dhe regjisorëve”. Kështu shprehet regjisori Gëzim Kame i cili e cilëson godinën e vjetër të Teatrit Kombëtar si të papërshtatshme, e ndërtuar që nga italianët si dopolavore dhe për një jetëgjatësi vetëm 15 vjet. Në një intervistë për Report tv, ai risjell në vëmendje kërkesat e vazhdueshme që i kanë qeverive të ndryshme të djathta e të majta.

Regjisori Gëzim Kame nuk është një ndër ata që përloten për shembjen e tetarit Kombëtar. Përkundrazi, tregon se që pas viteve 90 kanë filluar kërkesat për një teatër të ri. Regjisori Kame i cili ka qenë edhe drejtor i këtij teatri tregon edhe një moment kur mori premtimin nga ish-Presidenti Sali Berisha.

"Unë mbaj mend, që kam qenë i ftuar në ambasadën Bullgare në 1996, në grupin e njerëzve që ishim aty, ishte dhe presidenti i asaj kohe Sali Berisha dhe kryeministri Aleksandër Meksi dhe personalitete të tjera. Ndërkohë presidenti kalon pranë meje, njiheshim, na respekton shumë si artistë, më jep dorën, më pyet si je Gëzim? Dhe shfrytëzova rastin, i thashë: Çfarë do bëjmë me atë teatrin tonë? Do ta bëjmë, më tha. Do bëjmë një takim, e pyeta. Patjetër me tha, “edhe unë e mendoj që nuk rrihet në atë teatër”. Edhe iku, vazhdoi punën e tij" tha Kame.

Përballjen tjetër e ka patur me ish kryeministrin Fatos Nano, për të njëjtën kërkesë, ndërtimin e një tetari të ri.

"Unë po flas për historikun si ka filluar kjo punë. Po atë vit, pas një muaj ishte festat e 28-29 nëntorit, dhe ishim në Pallatin e Brigadave, kur me thërret Fatos Nano, dhe thotë do ta ndërtoni teatrin, i thashë, po. Me pyeti sa kushton, i thashë parashikimet janë për 12 milionë dollarë. Mirë tha bëjmë një bast, nëse ju gjeni 12 milionë dollarë, do futem unë si shtet me 10 milionë dollarë. I thashë po e ke të humbur bastin, ne i nxjerrim shumë shpejt ato. Ai më dha dorën, e bëri si ata fëmijët, e preu bastin Agim Zajmi. Më tha e ke të humbur, dhe sigurisht e kisha të humbur, sepse ai nuk e dëshironte këtë gjë", tha Kame.

Pas këtyre hyn në skenë ish ministri i kulturës Edi Rama sipas regjisorit Kame.

"Edi Rama në funksionin e ministrit të Kulturës ka ardhur me Kadri Roshin , prej krahu dhe ka mbledhur gjithë kolektivin e teatrit dhe ka thënë: Kur t’ I vijë koha, do e bëjmë, t’ i gjejmë lekët. Ajo sallë që u rrënua pardje quhej salla Kadri Roshi. Kadri Roshi ka qenë një ndër të parët që ka qenë për shembjen e këtij teatri se është turp", shprehet Kame.

Të gjitha këto kërkesa nuk kanë ardhur prej tij personalisht por prej të gjithë artistëve që kanë bërë historinë e Teatrit Kombëtar tregon Gëzim Kame.

Ajo çka i dëmtoi prej vitesh është protagonizmi që vazhdon edhe sot e kësaj dite shprehet ai. Projekti i teatrit të ri nuk hyn në shijet e tij, megjithatë për regjisorin Gëzim Kame e rëndësishme është të mos i japin rëndësi një godine e ndërtuar që nga italianët si dopolavore dhe për një jetëgjatësi vetëm 15 vjet por të shohin përpara.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?