Kultura

Kërkimi shkencor, Gjinushi: Probleme me aktet nënligjore! Akademia e Shkencave ankohet: Duhet koordinim

24 Korrik, 12:55| Përditesimi: 24 Korrik, 14:03

  • Share

Nëntë muaj nga miratimi i ligjit të ri për kërkimin shkencor në vend, për Akademinë e Shkencave vijon që ai të mos jetë i zbatueshëm dhe se aktet nënligjore nuk po rregullojnë dot defektet që vetë ligji ka.

“Kanë shpëtuar detaje teknike, që mund të krijonin keqkuptime, por që mund të rregullohen me akte nënligjore. Tani po shohim që aktet nënligjore nuk po rregullojnë, por e lenë gjendjen ashtu ose e bëjnë më keq. Aktet nënligjore janë një paketë e tërë, duhen miratuar si paketë dhe duhet të marrin vulën e institucioneve kryesore. S’mund të jenë produkt burokratik dhe me përfaqësime formale të institucioneve si Akademia apo shkollat e larta.”, shpjegon Skënder Gjinushi.

Në një deklaratë të posaçme për mediat, kryetari i Akademisë së Shkencave, Gjinushi, vuri theksin te problemet e pazgjidhura si statusi e kategorizimi i punonjësve kërkimorë- shkencorë, respektimi i kodit etik në kërkim e lufta ndaj plagjiaturës; standardizimi e rankimi i instituteve e vetë kërkuesve shkencorë; financimi i kërkimit shkencor, ligjërimi i bashkëpunimit institute-shkolla të larta në projekte të përbashkëta e veçanërisht në realizimin e programeve të doktoraturrës etj.

“Aktet në fuqi e zhvlerësojnë ligjin për shkencën dhe nuk i japin atë peshë që ligji duhet të ketë dhe risitë kryesore të ligjit nuk reflektohen, nuk janë kuptuar.”, -shprehet ai.

Gjinushi thekson se këto akte, të parashikuara për miratim në nëntor të këtij viti dhe veprimet në këtë drejtim duhet të jenë më të pjekura dhe produkt bashkëpunimi ndërinstitucional, duke u zhveshur nga parcelizimi, pasi ligji i Arsimit të lartë dhe ai i Shkencës janë e njëjta gjë. Sipas tij të gjithë institucionet e kërkimit shkencor duhet të jenë në një, ku të harmonizohen dhe koordinohen veprimet e për këtë qëllim ngrihet për herë të parë edhe Këshilli Kombëtar për Shkencën e Kërkimin Shkencor.

“Qëllimi nuk është që institutet të shkojnë patjetër te Akademia apo institutet të gjithë pranë shkollave të larta. Zgjidhja është gjithmonë heterogjene, pra institutet mund të jenë kudo. Rëndësi ka që të punojnë në një sistem e të bashkëpunojnë dhe të mos jenë monopole.”, - thotë Gjinushi.

Faza e parë e reformave në Akademinë e Shkencave pati për objekt vetë-reformimin e saj e të strukturave pranë saj, ndërsa tani synohet reformimi i sistemit të kërkimit shkencor në vend nëpërmjet forcimit dhe zgjerimit të njësive ekzistuese kërkimore dhe krijimit të atyre të reja, në fushat kryesore të dijes.

Strategjia e kërkimit shkencor për 2023-2030 dhe vetë ligji për shkencën synojnë mes të tjerash edhe që investimi e financimi për shkencën të arrijë së paku në mbi 1 % të GDP, ndërkohë që për momentin ky investim është në më pak se 0.3 % të GDP.

B.G/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Lirim me kusht pas 35 vitesh për të dënuarit përjetë, si e vlerësoni?