Janë shpallur këtë të premte fituesit e projekteve të kërkimit shkencor, ku Universiteti i Korçës “Fan Noli” është shpallur këtë herë fitues në 7 projekte duke iu përgjigjur thirrjeve të shpallura nga Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit.
Universiteti i Korçës “Fan Stilian Noli” vetëm në vitin 2023 ka fituar në 7 projekte për kërkim shkencor të shpallur nga Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit. Vetë drejtoresha e AKKSHI-t Mirela Muça, nga Korça ku mori pjesë në prezantimin e thirrjeve fituese të shpallura, nënvizoi se edhe pse niveli i financimit është dyfishuar, kërkimi shkencor vijon të mbetet ende problematik për universitetet.
“Janë investuar rreth 500 milionë lekë . Vetëm në vitin 2023 financimet janë rritur me 2 herë, ndërkaq drejtoresha theksoi se financimi edhe pse është rritur për kërkimet shkencore përsëri nuk është në nivelin e duhur, por pritet që të ketë rritje të fondit dedikuar atij”, u shpreh Muça.
Jo vetëm në Shqipëri por edhe në programet ndërkombëtare të aplikimit për kërkimin shkencor institucionet shqiptare të arsimit dhe shkencës kanë rritur suksesin dhe efektivitetin.
“Institucionet shqiptare të marrin pjesë në programet ndërkombëtare të kërkimit shkencor. Ka shifra që janë të kënaqshme por shumë ka për t’u bërë. Niveli i pjesëmarrjes dhe suksesit në ‘Horizont Europa’ është rritur shumë. Ne e kemi rritur dy herë nivelin e aplikimeve në dy vite dhe suksesin në programin më të madh të kërkimit shkencor në Evropë”, tha drejtoresha e AKKSHI.
Drejtoresha Muça foli edhe për detajet e një projektligji të ri dedikuar shkencës dhe kërkimit shkencor.
“Ne kemi bërë një draft të ligjit mbi shkencën në Republikën e Shqipërisë, pasi ka shumë aspekte që adreson ky ligj. Nëpërmjet ligjit kemi prekur dhe statusin e kërkuesit shkencor. Është një ligj që i hap rrugë perspektivës së kërkimit shkencor për të gjithë aktorët që duan të marrin pjesë në këtë fushë”, tha Muça.
Drafligji i ri për kërkimin shkencor pritet të rregulloje organizimin e kërkimit shkencor në Shqipëri ku për herë të parë do të vendoset statusi i kërkuesit shkencor.