1.26 mld lekë është fondi i kërkuar shtesë në pr/Buxhetin e vitit 2023, para nga të cilat do të përfitojnë 18 institucione. Kërkesa u artikulua në Komisionin e Ligjeve nga deputeti Socialist Saimir Hasalla, i cili renditi investimet që sipas tij, duhet të bëhen me këto para. Nga ana tjetër, propozohet që 10% e kësaj shtese të kërkuar në buxhet, të shkojë për paga e kontribute.
“Ndryshimet janë të rakorduara me Ministrinë e Financave. 360 mln lekë për ngritjen e institutit të të miturve në Mëzez Tiranë. Investime të kërkuara për vlerën 30 mln lekë për projekte të ndërtimit apo ri-konstruksionit të disa prokurorive në rrethe dhe të prokurorisë së apelit në Tiranë. Shtesë në investime 10 mln lekë për blerje pajisjeve të zyrave dhe ndërtimin e shtesës së katit për personelin e KQZ. Lidhur me SPAK, Komisioni miratoi 15 punonjës shtesë pa efekte financiare në fondin e pagave. 70.4 mln lekë për investime, 6 mln lekë për pajisje speciale hetimore dhe 11.4 mln lekë për ruajtjen e sigurisë së godinës. Totali i shtesave arrijnë në vlerën 1.26 mld lekë. 1.083 mld lekë janë investimet… Shtesë punonjësisht 96, nga të cilët 36 do të jetë e nevojshme shtimi fondeve”,
Gjatë diskutimit nen për nen të pr/buxhetit të vitit 2023, Kryetarja e Komisionit të Ligjeve, i bëri apel Ministrisë së Financave të rishohë dhe njëherë hierarkinë e pagave.
“Paga e presidentit 257 000, rritet sipas përcaktimit të KM. Këtu MF duhet të bëjë një studim që struktura e pagave, nuk ekziston më. Kemi disa piramida, jo logjikë normale në paga. Paga e presidentit që është më e larta, ska logjikë. Ka një pabarazi që është jo logjike, është kërkuar nga ministria të rishihet kjo çështje”, tha deputetja socialiste Klotilda Bushka.
Për Partinë Demokratike, shqetësuese mbetet mungesa e monitorimit të koncesioneve, që sipas deputetes Dhurata Çupi zënë gati 36% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
“Neni 18, Tavani për blerën totale të kontratëve për PPP, dhe ato të kontraktuara rishtazi, është 35.9% e PBB. Pra gati 36% e buxhetit shkon për PPP…A ka një monotori për rezultatin e këtyre PPP-ve?”, u shpreh Çupi.
Komisioni i Ligjeve kaloi vetëm me votat e mazhorancës ndryshimet buxhetore, të cilat do t’i kalojnë për shqyrtimin final Komisionit të Ekonomisë e më tutje Kuvendit në seancë plenare.