Alqi Bllako në Komisionin Hetimor

Kërkohet sot arrestimi, roli i Alqi Bllakos në dosjen e inceneratorit të Fierit! Falsifikoi dokumente dhe përfitoi 15 mln lekë! I sekuestrohet shtëpia e babait 144 mijë euro

29 Mars 2022, 14:02| Përditesimi: 29 Mars 2022, 14:45

  • Share

Emri i Alqi Bllakos, aktualisht deputet në Kuvendin e Shqipërisë, është më i rëndësishmi pas atij të Leftër Kokës në dosjen e madhe të SPAK për abuzimet me inceneratorët në Elbasan dhe në Fier. Në Kuvend ka mbërritur sot kërkesa nga akuza për autorizim për arrestim pasi mbi të rëndojnë akuza si ajo për korrupsion dhe shpërdorim detyre.

Në njoftimin e sotëm të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar thuhet seish-Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisi  Bllako, në bashkëpunim me Lefter Kokën dhe Pëllumb Abeshin, kanë kryer veprime të kundërligjshme duke përgatitur dokumentacion të falsifikuar në lidhje me të dhënat e pronës së shpronësuar 111 564 m2 , për inceneratorin e Fierit, duke paraqitur dhe propozuar pranë Këshillit të Ministrave projektvendimin dhe relacionin për shpronësim për kategorinë e pronës “tokë truall”, ndërkohë që rezulton e provuar se prona është “tokë arë”. 

SPAK pas hetimeve ka dalë në përfundimin se Alqi Bllako, gjatë kohës që ka shërbyer në fillim me funksionin Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit dhe më pas Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve (AKUM), është favorizuar shoqëria nga koncesionare “Integrated Technology Ëaste Treatment Fier” sh.p.k., kundrejt marrjes në mënyrë të tërthortë të përfitimit të shumës prej rreth 15 milionë lekësh të reja.

Për këtë dyshim të përfitimit të paligjshëm GJKKO ka vendosur  “sekuestro preventive” për një apartament në zotërim të babait të Alqi Bllako, Edmond Bllako. Apartamenti është në Tiranë, me sipërfaqe 99.48 m2, me vlerë sipas kontratës shitblerjes në shumën 144,246 Euro, që përmbush vlerën ekuivalente të përfituar në mënyrë të paligjshme nga shtetasi Alqi Bllako në shumën 14,964,900 (katërmbëdhjetë milion e nëntëqind e gjashtëdhjetë e katër mijë e nëntëqind) lekë’.

Kujtojmë se PD dhe LSI kanë hedhur akuza se babai i Alqi Bllakos, Edmond Bllako, ka qenë i punësuar në një kompani koncesionare për të cilën djali i tij ka qenë personi numër dy përgjegjës si Sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit.

Kush është Alqi Bllako

Alqi Bllako është një emër i ri në politikën shqiptare! Ai në vitin 2013 u emërua sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, e cila në atë kohë drejtohej nga ministri i LSI-së, Lefter Koka. Më pas Bllako nisi punë si sekretar i Përgjithshëm në Presidencë pranë kreut e shtetit, Ilir Meta, pozicion që e mbajti deri në shkurt 2019, kur vendosi të largohet nga Presidenca, e për rrjedhojë edhe nga LSI-ja. Në 2019 u emërua Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Ujësjellës-Kanalizimeve e Landfilleve dhe në 2021 u zgjodh deputet i PS në zgjedhjet e 25 Prillit, duke fituar edhe mandatin.

Si jepet autorizimi nga Kuvendi për arrestimin e një deputeti

Dhënia e autorizimit për caktimin e masës së sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi, ose heqjes së lirisë në çfarëdo lloj forme, për kontrollin personal ose të banesës parashikohet nga neni 118 i Rregullores së Kuvendit, në zbatim të nenit 73 të Kushtetutës.

Kërkesa dhe dokumentet shoqëruese për dhënien e autorizimit për caktimin e masës së sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi, ose heqjes së lirisë në çfarëdo lloj forme, për kontrollin personal ose të banesës i paraqitet Kryetarit të Kuvendit nga prokuroria. Kryetari ia dërgon kërkesën dhe dokumentet shoqëruese menjëherë për shqyrtim Këshillit për Rregulloren, Imunitetin dhe Mandatet dhe vë në dijeni deputetin.

Deputeti, për të cilin kërkohet dhënia e autorizimit, lajmërohet për kërkesën e bërë dhe dokumentet që e shoqërojnë atë, si dhe i bëhet e ditur koha në të cilën Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin do të fillojë shqyrtimin e kërkesës. Deputeti ka të drejtë të paraqesë në Këshill, me shkrim ose me gojë, shpjegimet dhe vërejtjet e tij rreth çështjes, të përfaqësohet me mbrojtës ligjor, të drejtojë pyetje dhe të kërkojë sqarime në lidhje me kërkesën me qëllim të ushtrimit të së drejtës së mbrojtjes.

Në përfundim të shqyrtimit, Këshilli, brenda 2 javëve harton një raport për në seancë plenare, në të cilin rekomandon rrëzimin ose miratimin e dhënies së autorizimit për caktimin e masës së sigurimit të arrestit në burg. Raporti i Këshillit u shpërndahet deputetëve.

Shqyrtimi i kërkesës vendoset si pikë e parë e rendit të ditës të seancës pasardhëse, pas paraqitjes së raportit të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin. Në seancë plenare fjala i jepet në fillim deputetit, ndaj të cilit është paraqitur kërkesa, për të dhënë shpjegime ose për t’iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve. Raporti i Këshillit nuk është objekt diskutimi. Kuvendi vendos me votim të hapur për dhënien ose mosdhënien e autorizimit.

Në rastin kur Kuvendi nuk merr vendim për dhënien ose mosdhënien e autorizimit për caktimin e masës së sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi, ose heqjes së lirisë në çfarëdo lloj forme, apo kontrollit personal ose të banesës të një deputeti brenda 3 muajve nga data e paraqitjes së kërkesës përkatëse, atëherë kërkesa konsiderohet e rrëzuar nga Kuvendi.

Përcaktimet e bëra në këtë nen zbatohen edhe në rastet e dhënies së autorizimit për caktimin e masës së sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi, ose heqjes së lirisë në çfarëdo lloj forme, apo kontrollit personal ose të banesës të anëtarit të Këshillit të Ministrave.

 

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?