Emigrantët e paligjshëm që do të dërgoheshin nga Britania e Madhe për në Ruandë do të lirohen këtë javë, por do të pajisen me byzylykë elektronikë në mënyrë që të gjurmohen në çdo hap që kryejnë.
Mes tyre është edhe një shqiptar rreth 20 vjeç që kundërshtoi me forcë largimin nga Britania e Madhe për në Afrikën Lindore duke nisur betejë ligjore në minutat e fundit. Ai do të lirohet brenda disa ditësh, pasi të zhvillohet seanca gjyqësore e emigracionit ku do të deklarojë adresën se ku do të jetojë, shkruan Daily Mail.
Ai tha se nuk mund të kthehej në Shqipëri pasi mund ta vrisnin ndërsa në Afrikën Lindore nuk mund të shkonte pasi nuk e cilësonte si vend të sigurt.
“Në Shqipëri jam shfrytëzuar nga trafikantët për gjashtë muaj. Më trafikuan në Francë. Nuk e dija se në cilin vend po më çonin”, tha shqiptari. Kur hipën në varkë në Francën Veriore, menduan se do të shkonin në Britani pasi nuk kishin dëgjuar asgjë për Ruandën.
“Jam në një gjendje shumë të keqe mendore. Nuk kam qenë kurrë në Afrikë dhe nuk mendoj se do të jetë e sigurt për mua. Nuk mund të kthehem në Shqipëri se do të më vrasin trafikantët atje. I vetmi vend i sigurt për mua është Britania. Si mund të dërgojnë një shqiptar në Afrikë?”, tha shqiptari, i cili kishte menduar të kryente aktin ekstrem të vetëvrasjes në vend që të hipte në aeroplan për të shkuar në Ruandë.
Në gjyqin ku do të marrë pjesë, përfshihen shumë emigrantë që kanë hyrë në Britani përmes varkave të vogla nga kanali i la Manshit. Zyrtarët britanikë po vazhdojnë të paralajmërojnë emigrantët që nëse kapen do të dërgohen në Ruandë.
Qeveria arriti një marrëveshje me qeverinë e Ruandës në fillim të këtij viti që shteti afrikan të pranojë azilkërkuesit që udhëtojnë ilegalisht në Britani. Atje ata mund të kërkojnë azil dhe, nëse kanë sukses, të fillojnë një jetë të re.
Ministria e Mbrojtjes zbuloi se 231 emigrantë të tjerë kaluan Kanalin e la Manshit me varka të vogla të premten, duke e çuar shifrën e javës së kaluar në më shumë se 800. Ndërsa më shumë se 2,500 kanë kaluar këtë muaj, duke e rritur totalin deri më tani këtë vit në mbi 12,000 – më shumë se dyfishi i asaj që ishte në fund të qershorit të vitit të kaluar.