Albulena Haxhiu

Kërkoi hetime për vrasjen e Faton Hajrizit dhe arratisjet nga burgjet, ministrja e Drejtësisë merret në pyetje nga Prokuroria Speciale

22 Korrik, 17:31| Përditesimi: 22 Korrik, 17:32

  • Share

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu është paraqitur sot për t’u marrë në pyetje në Prokurorinë Speciale në Prishtinë, në rolin e dëshmitares për deklaratat e saj se grupe kriminale të lidhura me pushtetin në Serbi kanë gisht në arratisjen e disa të burgosurve në Kosovë.

Prokuroria Speciale e Kosovës, njofton se me autorizim të Prokurorisë Speciale, sot është intervistuar ministrja Haxhiu, me qëllim të sqarimit të deklaratës së saj të dhënë në mediumin TV Dukagjini, në emisionin Debat Plus më datë 2 korrik 2024, lidhur me takimet dhe diskutimet e mundshme me prokurorë dhe gjyqtarë për raste të caktuara, si dhe postimin e saj në rrjetin social Facebook të datës 20 korrik 2024, lidhur arratisjet që kanë ndodhë nga burgjet e Kosovës.

Intervistimi i të njëjtës për sqarim të këtyre çështjeve do të vazhdojë edhe nesër.

Haxhiu tha të shtunën se organet shtetërore kanë informacione që “së paku në disa raste”, grupe kriminale të lidhura me pushtetin në Serbi kanë ndihmuar dhe organizuar arratisjet e të burgosurve në Kosovë.

“E rëndësishme të potencohet fakti që arratisja e disa personave që po kërkohen nga institucionet përgjegjëse në Republikën e Kosovës po bëhet vetëm në një drejtim: atë të territorit të Serbisë. Informacionet e organeve tona sugjerojnë që së paku në disa raste, këto arratisje janë cytur, organizuar, bashkorganizuar e lehtësuar nga grupe kriminale të lidhura me struktura të pushtetit në territorin e Serbisë”, tha Haxhiu.

Ajo kishte thënë se mbështetja e Serbisë për të arratisurit në Kosovë “është padyshim e qëllimshme, e organizuar dhe e lidhur me qëllim për të dëmtuar rendin publik, kushtetues e ligjor të Kosovës”.

Haxhiu ka thënë se për shkak të informacioneve “kundërthënëse” nuk mund të dihet me siguri nëse Faton Hajrizi është vrarë dhe se nevojitet hetim i gjerë e i thellë, për të zbardhur të vërtetën e këtij rasti. KosovaPress

Xh.K/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?