Rexhep Rapi

Kërkoi zëvendësim të masës së sigurisë, GJKKO lë në burg Kep Arapin! Planifikoi vrasjen e Xhevdet Plakut

13 Maj, 20:01| Përditesimi: 13 Maj, 20:32

  • Share

TIRANË- Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka lënë në burg Rexhep Rapin, alias Kep Arapin, i njohur si i forti i Sukthit.

Rexhpe Rapi kërkoi më datë 21.01.2024 zëvendësimin e masës së sigurisë ‘arrest me burg’, por GJKKO ka rrëzuar kërkesën e tij.

Kep Arapi u arrestua për planifikimin e vrasjes së Xhevdet Plakut. Rexhep Rapi, nipi i tij Algert Rapi, Devi Gjermëni dhe ish-shefi i Krimeve Dedan Gjoni dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kishin siguruar kushtet dhe mjete materiale për të kryer vrasjen e Xhevdet Plakut njohur si “Akili”.

Rexhep Arapi, personazh i njohur me histori kriminale në Shijak, u arrestua me kërkesë të SPAK, në Durrës më 22 dhjetor të vitit të kaluar. Gjatë kohës që Dedan Gjoni ka qenë me detyrë më Komisariatin e Shijakut dyshohet se ka bashkëpunuar me Rexhep Rapin, njohur ndryshe si “Kepi Rrapi” për ekzekutimin e Xhevdet Plakut.

Nga hetimet ka rezultuar se urdhri i krimit është dhënë nga Holanda. Ish-efektivi Dedan Gjoni ka thirrur në komisariat objektivin Xhevdet Plaku më 17 shtator 2019, ka raportuar te autorët orën që do e lironte si dhe u ka nisur foto të tij. Fatmirësisht, atentatorët janë tërhequr nga plani dhe vrasja nuk u krye. Nuk dihet saktësisht pse Rexhep Rapi e donte të vdekur Xhevdet Plakun, por ky i fundit ka qenë nën akuzë nga Gjykata e Savonës për vrasjen e Sali Rapit dhe plagosjen e Alfred Hasës, por mori pafajësi. Sali Rapi u vra me dy plumba pistolete, armë që nuk u gjet kurrë. Rexhep Rapi rezulton të jetë arrestuar me armë pa leje në një lokal në vitin 2021.

Xhevdet Plaku, i njohur me nofkën “Akili” përdorte edhe 25 identitete të ndryshme gjatë kohës që ishte koka e grupit kriminal të trafikut të drogës në Amsterdam. Pakove të kokainës iu vinte emra sipas cilësisë së mallit, zakonisht emra të markave të shtrenjtave të drogës duke nënkuptuar cilësinë e lartë të saj.

Njoftimi i GJKKO

‘Shtetasi nën hetim Rexhep Rapi (alias Kep Arapi) ka paraqitur pranë Gjykatës më datë 31.01.2024 kërkesën me objekt: Zëvendësimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, caktuar ndaj tij me Vendimin  nr. 138, datë 20.12.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Etleva Deda, bazuar në nenin 260 të Kodit të Procedurës Penale, me vendimin Nr. 83, datë 13.05.2024, vendosi:

Rrëzimin e kërkesës së kërkuesit/personit nën hetim Rexhep Rapi (alias Kep Arapi), me objekt: “Zëvendësimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, caktuar ndaj tij me Vendimin  nr. 138, datë 20.12.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, si të pambështetur në ligj dhe prova.

Shpenzimet gjyqësore i ngarkohen kërkuesit.

Kundër këtij vendimi lejohet ankim brenda afatit ligjor në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.    

Tiranë, më datë 13.05.2024

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.'- njofton policia.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?