Ish-deputeti Jurgis Çyrbja dhe momenti i arrestimit

Kronikë

Kërkoi zëvendësimin e masës së sigurisë ‘arrest me burg’, GJKKO rrëzon ish-deputetin socialist Jurgis Çyrbja (VENDIMI)

23 Korrik, 09:36| Përditesimi: 23 Korrik, 13:49

  • Share

Tiranë- Gjykata e Posaçme ka rrëzuar sot (23 korrik) kërkesën e ish-deputetit socialist Jurgis Çyrbja, për zëvendësim të masës së sigurisë “arrest me burg”.

Gjyqtarja Etleva Deda, e rrëzoi kërkesën e mbrojtjes, vendim që erdhi vetëm pak ditë pasi SPAK mbylli hetimet për ish-deputetin socialist dhe e dërgoi kërkesën në GJKKO për nisjen e gjykimit.

Çyrbja qëndron i paraburgosur me urdhër të SPAK dhe vendim të GJKKO-së që prej 20 tetorit 2024, për lidhje me organizatën e Altin Hajrit në Durrës dhe nxjerrje të sekretit shtetëror nëpërmjet dekonspirimit të operacioneve të policisë dhe dhënies së informacionit për grupin kriminal.

Më 15 korrik SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim në GJKKO dosjen ndaj tre të pandehurve; Jurgis Çyrbja, Ahmet Masha dhe i shumëkërkuari Altin Hajri. Në krye të listës qëndron Jurgis Çyrbja, ish-deputet i Partisë Socialiste, i cili akuzohet për një sërë veprash penale të kryera gjatë kohës kur ushtronte funksion publik në Kuvendin e Shqipërisë.

Sipas hetimeve të SPAK, ish-deputeti socialist akuzohet për nxjerrjen e sekretit shtetëror, përkrahje të autorit të krimit dhe korrupsion në zgjedhje. Bëhet fjalë për dekonspirimin e aksioneve policore, nxjerrjen e të dhënave nga TIMS dhe informacione të tjera për të ndihmuar personat në kërkim që të mos kapeshin.

Në dosjen e SPAK thuhet se ish-deputeti Çyrbja ka pasur miqësi me të kërkuarin ndërkombëtar të drejtësisë Altin Hajri, duke i premtuar këtij të fundit se do ta ndihmonte në këmbim të votave gjatë zgjedhjeve. Kujtojmë se Altin Hajri ka qenë në kërkim për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës.

A.Q/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se ka pasur rezultat aksioni për lirimin e hapësirave publike?