BEOGRAD- Nën moton "Dashuria është ligj", komuniteti i LGBT ka mbajtur paradën e Krenarisë për këtë vit në Beograd. Rreth 1 mijë pjesëmarrës marshuan në rrugët e qytetit dhe kërkuan që të miratohen me ligj martesat e të njëjtës gjini.
Të mbledhur në qendër të Beogradit, ata gjithashtu theksuan se anëtarët e popullatës LGBT ende nuk kanë trajtim të barabartë me qytetarët serb.
“Ne i kërkojmë Kuvendit që të miratojë Ligjin. Ne po i kërkojmë presidentit ta nënshkruajë atë, sepse ligji është në përputhje me Kushtetutën," tha një prej tyre.
"Unë mendoj se njerëzit LGBT janë të përjashtuar në shoqërinë tonë. Është e rëndësishme që ne të luftojmë për të drejtat tona", u shpreh një tjetër.
Pjesëmarrës nga parada thanë se kanë përdorur moton "Dashuria është ligj", për shkak se kërkesa e tyre kryesore është miratimi i ligjit për martesat e të njëjtës gjini.
Në ndryshim nga vitet e tjera, kryeministrja Ana Brnabiç nuk mori pjesë në Paradën e Krenarisë, ndërsa u ka thënë organizatorëve se ishte jashtë vendin dhe prandaj nuk mund të ishte e pranishme.
Në mesin e pjesëmarrësve kanë qenë, Komisionerja për Mbrojtje të Barazisë, Brankica Jankoviç, ambasadori amerikan në Beograd, Anthony Godfrey dhe shumë ambasadorë nga vende të Bashkimit Evropian.
Kjo është parada e parë që është organizuar që pas shpërthimit të pandemisë, ndërsa ditën e sotme është mbajtur duke respektuar kufizimet anti-COVID. Pjesëmarrësit kanë vërtetuar që janë vaksinuar, që kanë kaluar COVID-19 në 6 muajt e fundit ose kanë treguar një tampon negativ. Gjatë marshimit nuk ka pasur incidente, por forca të shumta të policisë kanë qenë në gatishmëri.