Seanca për shqyrtimin e rekursit të Sali Berishës në Gjykatën e Lartë për masën e sigurisë ‘detyrim paraqitjeje’ do të mbahet më 14 Prill. Gjyqtari që do të shqyrtojë kërkesën është Sokol Binaj, informon gazetarja Keti Banushi.
Kërkesa për masën e sigurisë u depozitua më 5 Mars, ku ish kryeministri kërkon heqjen e masës së sigurisë detyrim paraqitjeje me argumentin se nuk ka asnjë kusht apo kriter që të qëndrojë kjo masë.
Në këtë masë, ish-kryeministri ndodhet që prej datës 3 janar me vendim të gjyqtarit, Engert Pëllumbi.
Ky i fundit prishi vendimin e Shkallës së Parë së Gjykatës së Posaçme për revokim të masës së sigurisë, duke caktuar ndaj ish kryeministrit këtë masë lehtësuese, si dhe duke e detyruar atë të paraqitet të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji në SPAK.
Që nga dhjetori i vitit 2023, Sali Berisha është marrë i pandehur nga SPAK për korrupsion në dosjen e aferës “Partizani”, pasi akuzohet se me një sërë veprimesh të paligjshme i hapi rrugë privatizimit të ish kompleksit sportiv Partizani që u pasua me ndërtimin e 19 kullave, ku përfitues është dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, i pandehur gjithashtu.
Të akuzuar në aferën Partizani janë edhe biznesmeni Fatmir Bektashi, Xhimi Begeja orataku i Malltezit, trashëgimtar i tokës dhe bashkëpronar i 'Homeplan' dhe Andia Pustina, financiere që kryente të gjitha operacionet financiare dhe ligjore të Homeplan.
Komente
