Gjykata e Lartë ka caktuar datën 16 tetor, ora 09.30, për të shqyrtuar rekursin e ish-presidentit Ilir Meta për zëvendësimin e masës së sigurisë ‘arrest në burg’. Seanca në dhomë këshillimi ishte parashikuar të enjten në orën 10:00, por për shkak të mbledhjes së gjyqtarëve në Këshillin e Lartë Gjyqësor, u shty për javën e ardhshme.
Ilir Meta kërkon në shkallën e tretë të gjyqësorit prishje të vendimeve të GJKKO dhe Apelit të GJKKO. Relatore e rekursit është zgjedhur Albana Boksi, ndërsa anëtarët janë Sokol Binaj dhe Medi Bici.
Ish-presidenti i vendit mbahet në qeli prej muajit tetor të vitit ta kaluar, pasi dyshohet nga Prokuroria e Posaçme se ka konsumuar veprat penale “korrupsion pasiv”, “pastrim parash” dhe “fshehje të pasurisë”.
SPAK mbylli hetimet më 28 korrik, ndërsa dosjen e kaloi për gjykim në fund të gushtit, e cila përfshiu tre hetime në një aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI në SHBA dhe hetimin pasuror. Edhe Monika Kryemadhi përballet me të njëjtat akuza si ish bashkëshorti i saj, korrupsion pasiv, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie.
Pirro Xhixho akuzohet për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë të kryer në bashkëpunim, ndërsa Fatime Kryemadhi akuzohet për pastrim parash, së bashku me Ema Çokun.
Komente
