Gjykata e Posaçme cakton datën 20 qershor për zhvillimin e seancës për ish presidentin Ilir Meta, i cili kërkon verifikimin e kushteve të masës dhe zëvendësim të masës së sigurisë “arrest në burg”.
Gjyqtari i hetimit paraprak Erjon Çela ka caktuar orën 11:30 për të shqyrtuar kërkesën e Ilir Metës, i cili mbahet në paraburgim që prej 21 tetorit të vitit të kaluar.
Mbrojtja e Metës kërkon zëvendësim të masës së sigurisë nga arrest në burg në një masë tjetër më të butë, pasi sipas tij në rastin “Meta” janë shkelur afatet duke kaluar 8 muaj dhe në asnjë rast nuk është paraqitur nga SPAK informacion dy mujor mbi çështjen.
Gjithashtu, në argumente janë parashtruar edhe disa vendime të GJEDNJ, si raste analoge mes të cilave edhe dosja “Gëllçi”.
Më 27 maj, SPAK mori zyrtarisht të pandehur Ilir Metën dhe ish-bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhi me akuzat e korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë. Bëhet fjalë për tre hetime të përfshira në një dosje, afera CEZ-DIA, skandali i lobimit të LSI në SHBA dhe hetimi pasuror.
Komente
